Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ambasadorët e BE, Gjermanisë dhe Zvicrës kanë marrë pjesë, sot, në inagurimin e godinës së re të Ujësjellës- Kanalizimeve, që është ndërtuar në Kamzë.

Në fjalën e tij Rama siguroi se një pjesë e mirë e qendrave të banuara në Republikën e Shqipërisë brenda këtij viti do të kenë 24 orë ujë të pijshëm, ndërsa shtoi se Tirana do të mbetet e fundit për shkak të shumë investimeve që po bëhen këtu.

Po ashtu kryeministri shtoi se sot vendi ynë është akoma mbrapa në këtë fushë për shkak se në një masë të madhe ndërmarrjet e ujësjellësve janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes, si rezultat i shpërfilljes së nevojave bazë për një ndërmarrje për të pasur kapacitete teknike dhe burime njerëzore të kualifikuara.

Rama: Është një nisje e mirë e javës këtu në Kamzë ku siç e shihni jemi mbledhur me një grup që përfaqëson të gjithë partnerët që ne kemi në këtë anë të botës, në Europë, BE, qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Zvicrës në funksion të një programi madhor dhe jetik për Shqipërinë, që është furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë territorin duke i dhënë fund një historie jo vetëm 3 dekadash të pluralizmit, por qindra vjeçare sepse faktikisht asnjëherë në historinë e këtij vendi furnizimi nuk ka qenë i siguruar 100% për të gjithë.

Sot faktikisht ne kemi mbi 100 kantiere në territor ku punohet për sisteme të reja të integruara dhe në një pjesë punohet sëbashku me partnerët këtu të pranishëm. Duhet pasur parasysh që këto investime janë në sisteme të paprekura që në vitet ’60-’70.

Në periudhën e trazicionit shumë fonde dedikuar furnizimit me ujë të pijshëm u copëtuan në segmente interesash elektorale duke mos arritur kurrë që të investohet për një vizion, program, projekt të integruar dhe ne kemi humbur shumë prej këtyre fondeve, për faktin që kemi lënë krejt sistemin e furnizimit të fragmentuar dhe të amortizueshëm shumë më shpejt se çfarë do të ndodhte normalisht.

Sot jemi në kushtet kur themi se brenda këtij viti do kemi 24 orë ujë të pijshëm në një masë të madhe në qendra të banuara të Shqipërisë dhe më pas Tirana ku investimet janë masive dhe do duhet pak më shumë kohë në përmbylljen e plotë të tyre.

Sidomos mbështetje e dy qeverive dhe BE, janë kyçe jo thjeshtë në aspektin e fondeve apo të ndërtimit të infrastrukturës, por në aspektin e shoqërimit gjatë gjithë procesit me rritjen e kapaciteteve. Jemi akoma mbrapa sepse në një masë të madhe ndërmarrjet e ujësjellësve në RSH janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes si rezultat i shpërfilljes së nevojave bazë për një ndërmarrje për të pasur kapacitete teknike dhe burime njerëzore të kualifikuara.

VERITAS.COM.AL