(FOTO: Theresa May, kryeministre e Britanisë së Madhe)
Nga Philippe Bernard, Cecile Ducourtieux
Britanikët dhe përfaqësuesit evropianë janë mbledhur të enjten në Bruksel, tre muaj përpara çeljes së procedurës së daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.
Loja e pokerit të Brexit-it duhet të nisë pas tre muajsh por, tanimë, çdo protagonist bën bllof ose dyshon se tjetri po bën bllof. Uniteti i treguar nga 27 vendet e BE-së përballë kërkesës britanike për divorc është befasues ndërsa u hap të enjten, 15 dhjetor, në Bruksel Këshilli evropian dy ditor.
Është kaq e pazakontë sa britanikët nuk po e marrin veten. Ata e kanë të vështirë t’u besojnë fjalëve të evropianëve kur këta pohojnë njëzëri se as që bëhet fjalë të lejojnë qarkullimin e lirë të mallrave britanike në tregun unik nëse Londra do të pengojë hyrjen e lirë të evropianëve në Mbretërinë e Bashkuar, siç ka marrë përsipër të bëjë Theresa May. Ata janë befasuar kur kanë dëgjuar Angela Merkel-in të bëjë thirrje për të “vepruar së bashku” për çështjen ultra të ndjeshme të statusit të ardhshëm të të çatdhesuarve, për të cilin Th. May nuk jep asnjë siguri, por ka tentuar të hapë debate bilaterale për të përçarë evropianët.
A do ta nxiste perspektiva e Brexit-it BE-në për të krijuar një front të përbashkët? Shefa shtetesh dhe qeverish të Njëzeteshtatëshes do të darkojnë bashkë sonte në darkë, në mungesë të homologes së tyre britanike. Francezi Michel Barnier, “Zoti Brexit” në Komisionin evropian, konfirmohet si “shef i negociatorëve” evropian.
Uniteti i 27-shes u kristalizua kur ata kuptuan se lëshimi më i vogël do ta hidhte në erë Bashkimin.
Për momentin, Njëzeteshtatëshja shpall në unison se “katër liritë e qarkullimit” – të të mirave, të njerëzve, të të dhënave dhe të shërbimeve – janë të pazgjidhëshme. Uniteti i tyre për këtë çështje u kristalizuar këtë verë kur ata kuptuan – Berlini veçanërisht – se lëshimi më i vogël ndaj Londrës do të hidhte në erë Bashkimin. “Nëse nuk respektojmë kushtet e hyrjes në tregun e brendshëm, rrezikojmë shkatërrimin e projektit tonë të përbashkët, është një çështje ekzistenciale”, nënvizojnë në kor diplomatët brukselas. Fjalimi i Theresa May në favor të një “hard Brexit” dhe qëndrimi i ministrit të saj të jashtëm, Boris Johnson, s’kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë bërë evropianët të djersijnë ca më shumë.
Uniteti është po ashtu total edhe në një pikë tjetër: Londra nuk e ka vënë në jetë nenin 50 të traktatit të Lisbonës që i kufizon në dy vjet negociatat për ndarjen. Askush nuk e kundërshtoi ndërkaq Barnier-in kur ai përmendi mundësinë për një marrëveshje tranzicioni me britanikët, e negociuar paralelisht me divorcin, për t’i evituar Londrës që ta shohë veten nga sot nesër me statusin e pakëndshëm të “vendit të tretë”.
“O menu e plotë, o asgjë”
Nga ana britanike, gjithçka shkon për bukuri në dukje. Në shtator, në Bratislavë, gjatë samitit të parë zyrtar i reduktuar në 27 shtete anëtare, qeveria May shprehu pakënaqësinë e saj që u përjashtua nga debatet, çka shkaktoi romuze pa fund në Bruksel. Kësaj here, ata nuk po ndjehen fare. “Ne jemi në relax, pohon një diplomat britanik. Eshtë normale që partnerët tanë të përgatiten.” Të mërkurën, në Londër, zëdhënësja e Theresa May shkoi deri në pikën sa pohoi se debati i parashikuar në Bruksel pa Mbretërinë e Bashkuar ishte i “mirëseardhur” në perspektivën e negociatave efikase. Ajo konfirmoi objektivin e zonjës May për të bërë aktiv nenin 50 në fund të marsit 2017. Downing Street siguron se Brexit-i mund të jetë “një sukses njëherësh për Mbretërinë e Bashkuar edhe për BE-në”.
Në fakt, qeveria konservatore është ndarë midis ish-“brexit”-ërsave, që kërkojnë një ndarje totale, dhe ish-“remain”-ërsave, që, të shqetësuar për ekonominë, janë për ruajtjen në maksimum të lidhjeve me BE-në. Mutizmi i TH. May mbi objektivat e saj dhe retiçensa e saj për të bashkuar pas vetes Parlamentin acarojnë deri edhe brenda radhëve të konservatorëve.
Ndërsa evropianët shtrëngojnë radhët e tyre, britanikët kujtojnë ose bëjnë sikur kujtojnë se kërkesat e tyre do të përbëjnë elementin vendimtar të negociatave të ardhshme. Jeta politike është thuajse tërësisht e dirizhuar nga Brexit-i. Edhe mediat, gjerësisht të autocentruara, debatojnë për termat e divorcit me Evropën sikur Londra të ishte e vetmja që i ka të gjithë në dorë dhe sikur planeti mbarë po mban frymën se çfarë do ndodhë.
Bllof ose keqkuptim, ky qëndrim mbështetet në idenë sipas së cilës BE-ja, e nëpërkëmbur nga populizmat, është e dëshpëruar dhe zona euro në buzë të falimentimit. Presioni i të djathtës ekstreme mbi zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe në Gjermani paraqitet si në favor të interesave britanike në negociatat për Brexit-in, sepse Parisit dhe Berlinit do t’i duhej të tregoheshin pajtues për të qetësuar eurofobët e tyre. Për momentin, kërcënimi populist po ndikon më shumë në kuptimin e kundërt: Për të shmangur çdo efekt të papritur, evropianët e përjashtojnë çdo mundësi për t’i dhënë Mbretërisë së Bashkuar post-Brexit një status më të favorshëm sesa ai që ai zotëronte si vend anëtar. “Nuk do të ketë mundësi zgjedhje me menu, ka paralajmëruar ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble, do të jetë o menuja e plotë, o asgjë.”
“Anglocentrizëm”
Një keqkuptim i njëjtë shoqëron edhe argumentin kryesor të “brexit”-ërsave triumfues: për ta, BE-ja, për arsye të nivelit të lartë tregtar me Mbretërinë e Bashkuar, ka “shumë më tepër nevojë” për këtë të fundit sesa e kundërta, dhe A. Merkel do të arrijë të dorëzohet përballë presioneve të BMW, që dëshiron të mund të vazhdojë të eksportojë pa taksa përtej la Manshit, edhe pse Londra kontrollon emigracionin. Por, edhe këtu, argumenti kthehet mbrapsht: ndërkohë që BE-ja thith 44 % të eksporteve britanike, Mbretëria e Bashkuar llogarit më pak se 5 % të eksporteve nga blloku evropian, një shifër që nuk përmendet kurrë.
“Fitojmë shumë kohë dhe shmangim telashet duke i kapur njerëzit në fjalë. Por britanikët, me zakonin e tyre për të dredhuar duke folur dhe duke mos thënë atë që duan të thonë, janë jashtëzakonisht të këqinj në këtë pikë”, analizon Janan Ganesh, kronist në Financial Times. Për të, vendosmëria e Njëzeteshtatëshes nuk është një bllof, por ajo nuk është marrë seriozisht nga britanikët. Duke bërë thirrje kundër “anglocentrizmit” të Theresa May-t dhe iluzionit, i rëndomtë në Londër, që i paraqet evropianët në pozita lypsarësh ndërkohë që afati dy vjeçar është në favor të tyre, ai vlerëson se “BE-ja nuk është një partner pasiv. Për nga popullsia dhe prodhimi i saj, është fuqia që dominon debatet”.
Bllof apo shans i fundit për Evropën? Uniteti i fuqishëm i evropianëve ndoshta nuk i bën dot ballë ashpërsisë së debateve dhe shkathtësisë së britanikëve. Tashmë, “vende të vogla” shqetësohen se janë lënë mënjanë. Por siguria madhështore e britanikëve mund të bjerë ndesh me refleksin e fortë të mbijetesës kolektive.
/Veritas.com.al/