Kryeministri, Rishi Sunak është shprehur se ekzekutimi i ish-zyrtarit të lartë të mbrojtjes, Alireza Akbari në Iran është akt i pashpirt dhe frikacak, i kryer nga një regjim barbar.

Pasi media shtetërore iraniane njoftoi se Teherani kishte ekzekutuar Akbarin me akuzën e spiunimit për Britaninë, Sunak, në një postim në Tëitter tha: “Jam i tmerruar nga ekzekutimi i shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari në Iran.

“Ky ishte një akt i pashpirt dhe frikacak, i kryer nga një regjim barbar pa respekt për të drejtat e njeriut të popullit të vet. Mendimet e mia janë me miqtë dhe familjen e Alirezës”, ka shkruar Sunak.

Ish-zëvendës ministri i Mbrojtjes iraniane, u arrestua në vitin 2019 dhe u akuzua për spiunazh për llogari të Britanisë së Madhe në lidhje me bisedimet e kaluara bërthamore midis Iranit dhe vendeve perëndimore, sipas medias shtetërore iraniane. Në një regjistrim audio të transmetuar nga BBC Persian të mërkurën, Akbari tha se kishte rrëfyer krimet që nuk i kishte kryer pas torturave të shumta.

“Me më shumë se 3500 orë tortura, droga psikedelike dhe metoda të presionit fiziologjik dhe psikologjik, ma hoqën vullnetin. Ata më çuan në prag të çmendurisë… dhe më detyruan të bëja rrëfime të rreme”, tha ai.

Po ashtu media shtetërore iraniane transmetoi një video të enjten ku thuhej se Akbari luajti një rol në vrasjen në vitin 2020 të shkencëtarit kryesor bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh, i vrarë në një sulm të vitit 2020 jashtë Teheranit, për të cilin autoritetet fajësuan në atë kohë Izraelin.