Nga Bullgaria ka lajme të mira. Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për projektvendimin e paraqitur nga Hristo Ivanov, kryetar i PG “Bullgaria Demokratike” (DB), votuan 170 deputetë, 37 ishin “kundër” dhe 21 “abstenuan”. Kuvendi i Bullgarisë ka ndryshuar kështu një rezolutë të miratuar një vit më parë ku impononte veton dhe tashmë çështja i ka kaluar Qeverisë bullgare. Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Pasi Kuvendi i Bullgarisë dha sot dritën jeshile për propozimin francez, ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, tha se qëndrimet e tyre janë dërguar në Presidencën franceze dhe se në të ardhshmen duhet parë se çfarë zgjidhje do të vijë nga Franca. Osmani tha se qëndrimi i tyre është i qartë, se çështja e gjuhës dhe çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës së negociatave.

Kryeministri Rama  ka reaguar menjëherë pas këtij vendimi. Rama e ka konsideruar lajm të madh heqjen e vetos në Parlamentin bullgar dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë më shpejt.

Por dje Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski tha se ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq.