Një krim në familje tronditi qytetin e Vlorës pak pas mesditës së sotme, e mërkure: Todi Lera vrau gruan dhe tentoi të vrasë edhe veten

Banorë të lagjes, fqinjë të familjes Lera kanë treguar se Teodor Lera, të cilit të gjithë i thërrisnin Todi, ishte shumë xheloz për gruan e tij Eva. Ai  nuk punonte, veçse kontrollonte çdo lëvizje të së shoqes që punonte si shitëse rrobash të përdorura. Eva mbante familjen, ndërsa nuk guxonte as të krihte flokët për shkak të xhelozisë së të shoqit- tregojnë fqinjët.

Megjithatë ata flasin për njerëz të qetë por se ishin në dijeni për xhelozinë, pasi gruaja nuk dilte nga shtëpia.

“Vajza ka ardhur në mëngjes në Vlorë se ajo rrinte në Tiranë, ishte studente. Ai ishte shumë xheloz. Ai nuk punonte, vetëm kjo punonte, shiste rroba. Ata jetojnë prej 5 vitesh në shtëpinë e vëllait të tij në Vlorë. Por ishte shumë xheloz. Ajo nuk dilte nga shtëpia, as flokët nuk i krihte sepse ishte ai xheloz. Vetëm në punë e brenda. Kanë ardhur nga Bunavia që të punonte dhe ai. Se shtëpinë e tyre e kishin në Bunavi”, tregoi fqinja e familjes.

Bashkëshorti qëllon për vdekje gruan e tij me thikë, e më pas tenton të vetëvritet, në një ngjarje që ndodhi në dyqanin e çiftit, në katin e parë të një pallati shumë pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës.

Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policie dhe ambulanca. Trupi i viktimës u dërgua në morgun e qytetit, ndërsa autori i vrasjes u shoqërua për në spital në gjendje të rëndë.

Me vrasjen e bashkëshortes Vera Lera, autori rreth të 50-ave i krimit, Todi Lera ka lënë jetimë 3 fëmijë, ndërsa fqinj të çiftit thonë se në shtëpinë e tyre ka pasur shpeshherë raste dhune. Madje, për dhunë në familje, ai ishte arrestuar disa muaj më parë nga policia.

Veritas.com.al/