Me kokë të fashuar dhe sy të enjtur e të mavijosur, Hektor Daci, 48 vjeç, me detyrë specialist auditi në bashkinë Dibër është ende i shtruar në dhomën numër 5 në kirurgjinë e spitalit të Peshkopisë.

E ëma, një arsimtare e dalë në pension i qëndron te koka dhe kujdeset për të.

“Kam qenë në punë dhe vetëm kam parë një grup njerëzish të cilët po rriheshin. Jam futur që t’i ndaj sepse zyrat i kemi shumë afër. Ishin afro 20 a 30 vetë me shkopinj bejsbolli, hekura nëpër duar, një pjesë prej tyre punojnë në bashki,” thotë me zë të ngjirur Daci.

Tre të tjerë përveç Dacit mbetën të lënduar prej sherrit të 31 Janarit  me mjete të forta mes anëtarëve të PDIU-së dhe punonjësve të bashkisë- simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët po kurohen tashmë në shtëpi.

Një javë pas përleshjes me shkopinj bejsbolli mes përfaqësuesve të PS dhe PDIU, qyteti i Peshkopisë jeton nën masa të rrepta sigurie ndërkohë që palët akuzojnë njëra-tjetrën për ‘gjueti shtrigash’ apo shantazh- konflikt që ka si burim vendet e punës në administratë.

Përplasja në fillim të shkurtit solli arrestimin e nënkryetarit të bashkisë, Ernolt Cani, i cili akuzohet se drejtoi sulmin ndaj kolegëve socialistë. Sherri i dha fund fizikisht koalicionit lokal mes PS dhe PDIU-së, i cili u mundësoi socialistëve që të rifitonin Bashkinë e Peshkopisë me rezultat edhe më të thellë, pas shkarkimit prej skandalit seksual të Shukri Xhelilit i cili po ashtu vinte prej rradhëve të tyre.

Palët pranojnë se sherri ka si motiv kryesor vendet e punës në administratë dhe shpërtheu pas shkarkimit të Shaban Uklalës, ish-drejtues i burimeve njerëzore në bashkinë e Dibrës dhe përfaqësues i PDIU-së. Në vend të tij u emërua Drini Mata.

Bashkia Dibër paguan rreth 860 punonjës dhe prej tyre, 271 janë nën varësinë e drejtorisë së burimeve njerëzore. Emërimet në administratë janë një prej mjeteve kryesore elektorale të partive politike në vend, duke qenë se në shumë zona ato janë të vetmet vende të mundshme pune dhe po ashtu hambari kryesor i votave.

Për këtë shkak, përplasja duket edhe si fillimi i një luftë politike lokale për zgjedhjet e ardhshme. PDIU, aleati i “vogël” i PS që zbuloi së fundmi se kishte një bazë të fortë elektorale në Dibër, ia doli të ishte forcë e parë në këtë zonë elektorale në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere, me 2 pikë përqindje më shumë se socialistët. Në PDIU-në lokale nuk e mohojnë oreksin për të dalë me një kandidat të tyrin për bashkinë në zgjedhjet lokale të rradhës.

Shenja të fërkimit ishin dhënë edhe më herë, kur Reme Lala e cila u zgjodh deputete nga lista e PDIU në Dibër, sulmoi në Kuvend nëntorin e vitit të kaluar Muharrem Ramën, kryebashkiakun e zgjedhur prej koalicionit mes PDIU dhe PS, duke thënë se shkonte në bashki “vetëm pasi kishte pirë pesë dopjo raki” dhe se vendimet vetëm në interes të familjarëve të tij “ishin të njollosura me yndyrë qoftesh”.

Policia dhe kreu i Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama nuk pranuan të komentonin incidentin e rëndë.

Pas përplasjes fizike me mjete të forta dhe shkopinj bejsbolli  në zyrat e bashkisë, qyteti është nën masa të rrepta sigurie. Makina të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur aty që pas përplasjes, ndërsa policia ruan bashkinë dhe hotelin ku qëndron Drini Mata, i emëruar së fundmi drejtor i burimeve njerëzore.

Mata, që nuk është dibran dhe që ka shkuar atje vetëm për një vend pune nga Tirana, tha për median se sherri k ishte nisur “për ta vrarë”.

Për përfaqësuesit e PDIU-së, Mata me origjinë nga Tepelena është provokuesi i përplasjes pasi ka dhënë masa disiplinore ndaj punonjësve të bashkisë që vijnë nga PDIU.  Paraardhësi i Matës në postin e drejtuesit të burimeve njerëzore thotë se në konflikt janë përfshirë persona që punojnë si truproja të Matës dhe që s’kanë lidhje me bashkinë.

“Personat që kanë qenë shoqërues të Matës, menjëherë pas sherrit, po atë ditë janë emëruar në punë si e si për të fshehur krimin në grup që kanë bërë. Ky është një skandal i vërtet dhe organet kompetente duhet të bëjnë zbardhjen e saj,” thotë Shaban Uklala, për BIRN.

Sa kohë që palët shkëmbejnë akuza prej së largu, qytetarët e Dibrës janë të tronditur dhe të frikësuar. Shumica e qytetarëve refuzojnë të flasin për ngjarjen ose këmbëngulin të mos citohen me emër.

Deri tani vetëm Ernolt Cani, 34 vjeç nga Peshkopia, me detyrë zv/ Kryetar i bashkisë Dibër është i arrestuar.

Veritas.com.al/