
Kur kanë mbetur edhe 60 ditë nga zgjedhjet e 11 majit dhe në prag të zyrtarizimit të listës së kandidatëve në këto zgjedhje, kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë e Kavajës dhe të Vorës. Ai theksoi rëndësinë gjeopolitike të këtyre zgjedhjeve dhe ka kërkuar që të merret çdo votë për Partinë Socialiste për të bërë realitet ëndrrën europiane. Rama bëri të ditur se kur të hyjmë në BE, Shqipëria do të marrë 1 miliard euro çdo vit dhe shqipatrët do të jenë të barabartë me europianët, raporton A2 CNN.
“Dua të theksoj faktin që është shumë e rëndësishme për çdo udhëheqës, pjesë të trupës udhëheqëse të PS që do të thotë për çdo të deleguar, kryetar organizate për secilin prej jush që të mbajë parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, jo vetëm për PS, por për Shqipërinë. Pas zgjedhjeve të 91-92 këto janë zgjedhjet e para që kanë një peshë gjeopolitike dhe që lidhin drejtpërdrejt fatin europian të vendit tonë. Sot janë krijuar kushtet që ne të hymë në BE si rrjedhojë e përputhjes së rrethanave tona me ato të BE-së dhe për herë të parë mundësia për tu bërë pjesë e BE është reale. Kemi një kalendar për negociatat që është kalendari më i shpejtë që na është dhënë për të mbyllur negociatat në 2027 dhe të hymë e të bëhemi anëtarë të BE. Kjo do të thotë që Shqipëria të kalojë në nivel tjetër, duke filluar nga individi e pasaporta e Shqipërisë e cila nuk do të jetë më ajo që është si mundësi për të lëvizur, por pa mundësinë për të qëndruar e pa marrë rimbursime shëndetësore si të jesh në vendin tënd, ne hymë dhe bëhemi pjesë e barabartë e asaj familjeje. Secili flet gjuhën e vet, por na bashkon legjislacioni ku edhe buxheti i vendit tonë do të marrë një rritje të fuqishme nga mbështetja e BE. Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi marrë 630 mln euro duke u bërë anëtarë do të marrim mbi 1 miliard çdo vit, 330 milionë vetëm për bujqësinë”.
Por kjo sipas Ramës “mund të mos ndodhë nëse në 11 maj Shqipëria nuk voton fuqishëm PS-në dhe për të vazhduar një proces që nuk është fjalë goje, por punë e përditshme me detyra të pafundme. Janë 1 mijë vetë që punojnë për këtë punë janë 40 skuadra negociatorësh. Janë si në provim dhe japin llogari çfarë ka bërë Shqipëria. Çdo minutë vlen dhe nuk duhet humbur. Mjafton një rrëshqitje 6-mujore dhe ajo mundësi mund të ikë që aty. Ne kemi qenë gati por nuk ishin ata gati”.
A2 CN raporton se kryesocialisti theksoi se nuk mund të lihet pasaporta e BE-së për Kujtim Gjuzin apo për tifozllëk të Partisë Demokratike.
“Nuk do të jetë më Republika e Shqipërisë por do të jetë Bashkimi Europian republika e Shqipërisë. nuk do ketë më radhë për të na kontrolluar pasaportat. Do hyjmë njësoj me francezë, gjermanë, italianë, të barabartë. Si mund të lihet kjo tani për tifozllëk, jo jam me PD, jo jam me Kujtim Gjuzin. Kujtimi është më i miri atje, po përveç mustaqeve nuk ka asgjë tjetër. Duhet të merret çdo votë për PS-në. Në 11 maj ne do t’i prezantojmë atyre një “noc rrok” madhështor”. / (A2 Televizion)
Komente