Në deklaratën e CEB-it thuhej se disbursimi është pjesë e një kredie prej 60 milionë eurosh, e cila do të financojë pjesërisht shpenzimet e Shqipërisë si rezultat i masave për COVID-19.
Këto shpenzime përfshijnë blerjen e furnizimeve mjekësore dhe farmaceutike suplementare, pajisje të specializuara të nevojshme për pacientët COVID-19, pagesa të vështirësive dhe jashtë orarit për personelin mjekësor dhe jomjekësor, punësimin e personelit mjekësor shtesë dhe vaksinat.
Situata me COVID-19 në Shqipëri
Komiteti i Ekspertëve më 2 mars hoqi kufizimin e orës policore në vendin tonë. Kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve kishte dy vite në fuqi – që prej shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri më 9 mars 2020 – dhe u vendos për të parandaluar përhapjen në masë dhe për të ulur rrezikun e infektimit.
Ndërsa, sa i përket situatës epidemiologjike në vend, rastet e reja kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe fatalitetet. Por ekspertët, pavarësisht kësaj, kanë bërë thirrje për vaksinimin që nga mosha 12 vjeç e lart.
Ndërkaq, masat e tjera, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe pesë ditë karantim për të infektuarit me COVID-19 do të vijojnë të mbesin në fuqi.
Në fuqi është masa me 50% të kapacitetit të ambienteve, ku zhvillohen grumbullime apo festa.
Sa u përket udhëtarëve nga jashtë Shqipërisë që hyjnë në vendin tonë duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit apo testin PCR.
Ekspertët, nga ana tjetër, kanë bërë me dije se të gjithë të shtruarit në spital janë persona të pavaksinuar, prandaj apeli për t’u vaksinuar vijon ende.
Që prej shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri kanë humbur jetën 3 mijë e 489 dhe 273 mijë e 146 të infektuar.