Nga Frrok Çupi/

Dilema mes fuqisë së shtetit dhe forcimit të individit, është një dilemë e përjetshme, që në krijimin e shtetit… Por ne këtë epokë është kthyer në një dilemë ekzistencialiste mes individit të paarmatosur dhe kriminelëve të armatosur. Krimineli, në këtë rast quhet ‘individ’ dhe shteti- shtet. Sot në seancën e Kuvendit, ish ministri i brendshëm Tahiri, tani nën akuzë si bashkëpunëtor i kriminelëve, hyri në Kuvend dhe kërcënoi të gjithë përfaqësuesit e popullit në shtet.

“Nuk besoj që do të ketë bir nëne dhe bir kurve që do më pengojë”- tha Tahiri, duke kërcënuar në mënyrë lakonike siç kërcënojnë kriminelët. Edhe në këtë rast Tahiri konsiderohet “individ”, por nga ai lloj individi që qëndron që në fillim të dilemave ekzistencialiste të shtetit, dmth., individi që rrezikon shtetin.

Rasti Tahiri:

Si ministër i fuqishëm i Brendshëm kishte kontakte me dy fuqitë e mëdha, shtetin dhe krimin. Duke përfaqësuar shtetin në ndjekje të kriminelëve, ky në fakt u bë më shumë kriminel se sa punëtor i shtetit. Në këtë vijë të hollë që ndan shtetin nga krimi, është shumë e vështirë të kalohet pa futur duart në krim. Aq më tepër Saimir Tahiri me prirje shumë të thesuara kriminale: I rritur nën frustrim, i infektuar shpejt me përdorimin e lëndëve narkotike; siç është shpallur në Kuvend ky ka tentuar të vrasë veten më shumë se një herë; me një familje të kapur në krimin e evazionit fiskal; me tendenca revolucionare të stilit të komunistëve terroristë- të cilat i manifestoi në aksionet thuajse guerilase gjatë periudhës kur udhëhiqte fondacionin “Qemal Stafa”. Ky njeri vihet në pozitën më të lartë ku ndahet krimi nga shteti; dhe natyrisht që do të merrte anën e krimit…

Aq më tepër që gjatë gjithë kohës siguroi mbështetjen pa kushte të kryeministrit autokrat Rama. Atëherë si të mos merrte anën e krimit ministri Tahiri? Aq më tepër që sot po flitet se ‘individi’ Tahiri po kërcënon edhe vetë kryeministrin Rama se ‘i ka në dorë dokumente të egër’ që po foli kryeministri ‘e hodhi në erë.

Sot Tahiri ka kërcënuar edhe vetë Kuvendin dhe popullin duke thënë atë fjalë shumë të ulët alias kriminale “ nuk ka bir nëne dhe bir kurve që të më ndalojë”… Në fakt sot Tahiri e mposhti Kuvendin, edhe pse Kuvendi ‘i fuqishëm’ sapo ka marrë opinion pozitiv nga Europa për t’u pranuar në BE: Opozita qe e detyruar të largohet nga salla e Kuvendit, sepse normalisht “nuk mund të bashkëjetonte me një ministër të përzier në krime”. Dmth Kuvendi ra.

Atëherë ky është rreziku i ‘individit’ kriminel përballë shtetit. Ky rrëzon shtetin kur të dojë dhe i lë qytetarët zbuluar.

Rasti jo vetëm Tahiri…

Nuk është thjesht Tahiri… Individi nuk është vetëm Një ai që rrezikon shtetin. Individi që rrezikon është ai që pajiset me mjete legale ose ilegale për të bërë ligjin; nëse dikush tjetër bën ligjin dhe jo vetë shteti, atëherë shteti ka falimentuar. Mjetet për të rrëzuar shtetin, fatkeqësisht, individët kriminalë këtu i marrin nga vetë shteti, dhe një pjesë tjetër nga ferri i krimit.

Por këtu është krimi i madh që bën shteti: Mjetet financiare, ushtarake, ligjore, autoritare…, të gjitha i ka marrë nga populli. Në vend që qeveriaa t’i vërë këto mjete në favour të popullit që ka paguar- i vë në favour të kriminelëve që rrezikojnë popullin.

Ky është krimi më i madh shtetëror që po ndodh këtu.

Veritas.com.al/