Koment nga: Radio Evropa e Lirë/
Dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pritet të jetë një nga sfidat kryesore edhe për qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila do të formohet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Ndërkaq në planin e brendshëm, qeverinë, sipas ekspertëve, e presin shumë sfida nga zhvillimi ekonomik deri te ato të sundimit të rendit dhe ligjit.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe atyre të bizneseve adresojnë shumë prioritete të cilat duhet të jenë në tavolinën e qeverisë së ardhshme.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, luftimi i korrupsionit, fuqizimi i rendit dhe ligjit si dhe liberalizimi i vizave janë vetëm disa nga çështjet që sipas tyre, duhet të adresohen nga qeveria e re.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për rifillim të dialogut pasi që si i tillë ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ditë më parë zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit është çështja kryesore për qeverinë e ardhshme.
Sipas tij, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve është parakusht i çdo procesi integrues.
“Sa i përket procesit të integrimit evropian gjëja e parë me të cilën do të duhej të merret qeveria e ardhshme është çështja e liberalizimit të vizave dhe në atë drejtim duhet të kthehet një klimë pozitive sa i përket normalizimit dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse normalizimi marrëdhënieve nuk është kriter zyrtarë për liberalizmin e vizave, por është parakusht i çdo procesi integrues”, thotë Shasha.
Detyra e dytë e Qeverisë së ardhshme, shton Shasha, do të duhej të ishte marrja e hapave konkret në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe heqjes së ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë.
“Këtë e them në kontekst të asaj që për tre vitet e fundit Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të profilit të lartë sa ai përket luftës kundër korrupsionit. Po ashtu sa i preket procesit të përgjithshëm integrues institucionet e ardhshme të Kosovës duhet të vendosin theksin në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe agjendës evropiane të reformave, ku një numër i fushave presin progres të theksuar”, thotë Shasha.
Përveç aspektit politik një numër i madh i detyrave që presin Qeverinë e re janë ato në aspektin ekonomik.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se prioritet i parë i qeverisë së ardhshme duhet të jetë përmirësimi i sundimit të rendit e ligjit.
Brenda 100 ditëve të para të qeverisë, shton Zeka, do të duhej të hartohet një strategji nacionale e zhvillimit ekonomik e cila do të ishte udhërrëfyes për reformat që duhet bërë në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik.
“Prioritetet të cilat duhet të ushqejnë këtë strategji duhet të jenë ato që lidhen me fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, të shohim një efikasitet më të madh jo vetëm në trajtimin e kontesteve të natyrës komerciale që kanë qenë shqetësim i bizneseve, por edhe zbatimin e mirëfilltë të ligjeve. Kur flasim për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit duhet të shihen rezultate konkrete në luftimin e të gjitha formave të korrupsionit”, thotë Zeka.
Vëmendje e rëndësishme nga Qeveria e re, shton Zeka, duhet kushtuar zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke filluar nga reformimi i sistemit të edukimit në të gjitha nivelet e tij, me qëllim të nxitjes së ndërmarrësisë në mesin e gjeneratave të ardhshme, por edhe përmirësimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës.
Po ashtu, adresimi i boshllëkut të infrastrukturës transportuese dhe energjetike, sipas Zekës, duhet të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme.
“Kur flasim për infrastrukturën transportuese duhet theksuar se ka pasur investime në infrastrukturën rrugore, por ka ngecur mbrapa modernizimi i rrjetit hekurudhor dhe kjo është çfarë duhet të ndodh në qeverinë e re, pra vazhdimi i investimeve në rrjetin hekurudhor që do ta lehtësonte operimin e shumë bizneseve si dhe të eksporteve. Infrastruktura energjetike është e rëndësishme që si e tillë të mundësojë difersifikimin e burime të energjisë të mos varemi vetëm nga konsumi i energjisë elektrike, por të shohim edhe burime të tjera pse jo edhe të kyçjes së Kosovës në rrjetet ndërkombëtare të furnizimit me gaz”, thotë Zeka.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
VERITAS.COM.AL/