Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) në raportin e tij të fundit për vitin 2021 shpjegon se si funksionon veprimtaria e prodhimit të Bitcoin-it në Shqipëri dhe rolin e kriptomonedhave në veprimtaritë kriminale.
Sipas SHISH, veprimtaria e brokerimit të palicencuar apo të ushtruar në informalitet nga operatorë ekonomikë, shfaqet në ndërmjetësimin dhe investimet në bursa jashtë shtetit, në kriptomonedha dhe metale të çmuara, duke e kamufluar veprimtarinë pas aktiviteteve të tipit “call center”.
Gjithashtu, aktorët e përfshirë në këtë formë paligjshmërie kanë krijuar edhe ambient të përshtatshëm për prodhimin e kriptomonedhës në informalitet.
SHISH shkruan se për këtë merren objekte me qira, afër vendeve ku mundësia për të abuzuar apo vjedhur energjinë elektrike është më e lartë, por ka edhe raste ku ndërhyhet në matësit elektrikë.
Aktiviteti zhvillohet në informalitet edhe pse ka hyrë në fuqi legjislacioni përkatës.
Ky i fundit përfshin rregullimin e kushteve të licencimit, ushtrimin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të operatorëve dhe bursave, tregtimin e monedhave virtuale dhe parandalimin e praktikave abuzuese në treg, në vendin tonë.
“Përdorimi i parasë virtuale sjell një sërë përfitimesh dhe lehtësirash të mundshme. Kjo me gjasa rrit rrezikun e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit apo vepra të tjera gjeneruese të ardhurash kriminale”.
Sipas këtij institucioni, korrupsioni dhe krimet në ekonomi mbeten fenomene shqetësuese që cenojnë barazinë ekonomike mes shtetasve dhe sundimin e ligjit.
Në këtë fushë ndërveprues janë edhe shtetas të huaj, të përfshirë në krimin e organizuar ndërkombëtar.