Frrok Çupi/
Ndoshta është hera e parë në historinë tonë, kur fqinjët i kemi veç ‘të mirë’, domethënë është hera e parë kur fqinjët janë bashkuar me kauzën tonë kombëtare evropianiste. Shqipëria, si edhe Maqedonia fqinje, sot e nesër janë si në maternitetin e historisë; të dy shtetet ballkanike janë bërë gati për të nisur negociatat me Bashkimin Evropian, gjë që i paraprin anëtarësimit nesër në familjen e madhe evropiane. Pasnesër gjithçka ka marrë fund.
Greqia (që u përfol si të ishte kundër) ka shpallur se nuk pranon që Shqipëria të ndahet nga fqinji tjetër Maqedoni për të hyrë në portat e Evropës. Italia, përmes kryeministrit, deklaroi se nëse Shqipërisë nuk i hapet dritë jeshile për negociata, atëherë kjo është një fatkeqësi e vetë Evropës. Hungaria deklaroi se sa më shpejt të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë, aq më mirë për Evropën. Vetë Maqedonia e Veriut përmes kryeministrit ka deklaruar se nëse nuk hapen negociatat, atëherë nuk ka zgjidhje as për Kosovë as për Serbi…
Një rajon i bashkuar për herë të parë rreth njëri tjetrit me synimin fisnik për të hapur negociata dhe më vonë anëtarësim në BE.
Por pse ka ndodhur kjo?
Ballkani Perëndimor dhe fqinjët e gadishullit po shikojnë tani se nëse rajoni mbetet ‘varur’ as Evropë as Azi, atëherë kjo do të nxisë ‘ballkanizimin e mëtejshëm të Ballkanit’, siç deklaroi një nga komisionerët e BE me kombësi greke. As Italisë, as Greqisë, as Bullgarisë, as Hungarisë- që thuajse janë fqinj të afërt me ne, nuk i intereson ballkanizimi i mëtejshëm i Ballkanit. Kjo do të përhapte ‘sëmundjen’ edhe përtej Adriatikut dhe përtej Danubit.
Por ka edhe një arsye tjetër pse këto kombe fqinje janë me ne kësaj here. Arsyeja vjen nga një frikë e përbashkët se mos ‘ujku’ hyn mes nesh!. Kompaktësia e kombeve fqinje me ne dëshmon se ata kanë nuhatur dhe kanë kuptuar se në këtë rajon ekziston një rrezik: Ndërhyrja e influencave Lindore (Rusi, Kinë, Turqi). Ky është një realitet, gjë që e konfirmon edhe bashkimi i menjëhershëm i kombeve të kontinentit në kauzën për ta afruar Shqipërinë (dhe Maqedoninë) me BE. Kryeministra dhe analistë të kombeve fqinjë po manifestojnë edhe nervozizëm ndaj hezitimit të disa kombeve të vjetër të Evropës, sikur po iu thonë “ore, nuk kuptoni ju se po të mos na pranoni, një e keqe e përbashkët mund të ndodhë”?
Po kombet e vjetër evropian në BE, vallë pse hezitojnë? Nuk mund të thuash se ata janë nën influencat ruse ose kineze, por edhe nuk mund të përjashtohet kjo ide. Akti i tyre për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor jashtë BE dëshmon se ‘uji shkon në mullirin e ujkut’, pavarësisht nga teoritë që thuhen.
Qeveritë e kombeve të Bashkimit Evropian ndodhen nën disa trysni, që vijnë nga jashtë por sidomos nga brenda organizmave të tyre legjislative. Frika e liberalëve majtistë se ‘mos na zënë vendin konservatorët djathtistë’, i ka bërë ata që të marrin vendime dritëshkurtër dhe në nxitim. Por ama po dëmtohet forcimi i BE dhe i NATO-s
Fqinjësia e mirë rreth nesh dhe Ballkanit ka hyrë në filozofinë politike evropiane si një fenomen i ri, i pa njohur në shekuj e shekuj, ku gjithnjë është konstatuar se ‘Ballkani është veç i trazuar mes veti’. Por nëse ky fenomen nuk njihet dhe nuk konsiderohet sa më shpejt e me koherencë nga organizmat e BE, atëherë edhe për Bashkimin Evrropian do të jetë tepër vonë.
VERITAS.COM.AL/