Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, komentoi aksionin e sotëm në kampin e MEK në Manëz. Nga studioja e Abc News, Hodaj u shpreh se kush kryen aktivitete të paligjshme nuk e meriton të qëndrojë në Shqipëri. Ai tha se kjo është një punë që i takon organeve hetimore për të nxjerrë persona përgjegjës, dhe më pas duhet të vendoset se kush meriton të qëndrojë dhe kush jo.
“Aksion i Policisë ishte në zbatim të GJKKO-së, që me kërkesë të SPAK ka lëshuar urdhra kontrolli. Policia ka marrë masa, që urdhri të zbatohet. Se si do procedohet më tepër në këtë çështje, duhet të pyesin SPAK-un. Për momentin është herët, padyshim kush kryen aktivitete të paligjshëm në Shqipëri, nuk e meriton as të qëndrojë, por kjo nuk i aplikohet bashkësisë së tyre në tërësi, sepse përgjegjësia penale është individuale”, tha ai.
Por, a rrezikohet të prishet marrëveshja për qëndrimin e tyre në Shqipëri? Për këtë Hodaj u shpreh se shteti shqiptar nuk ka vullnet për ta prishur një marrëveshje, të cilën e ka firomsur, por problem sipas autoriteteve vazhdon të mbetet veprimtaria e MEK, e cila nuk po i përmbahet zotimeve të firmosura në marrëveshjen e pranimit.
“Do duhet të shikojmë se deri ku arrin mos-përmbushja e kushteve nga ana e tyre për të parë vijimësinë. Nga ana e shteti nuk ka një vullnet për të prerë me thikë, një marrëveshje të cilën e kemi firmosur, sepse ne besojmë tek parimet e asaj marrëveshjeje”, shtoi ai.
Policia e Shtetit publikoi pamjet nga aksioni i sotëm, në të cilin shihet një prej përfaqësuesve i MEK duke shkatërruar dhe djegur dokumente. Për këtë, Hodaj thotë se logjika të çon se ata po tentonin të shkatërronin dokumente të paligjshme, në përpjekje për të fshehur gjurmët e veprimtarisë së tyre të paligjshme.
“Nëse ishte një operacion kontrolli, me qëllim sekuestrimin e dokumentacioneve, logjika thotë se ishte diçka e paligjshëm që po mundohen ta shkatërrojnë, ka shumë episode të tilla. Në momentin kur Policia ka sekuestruar dokumente apo sende sipas urdhrit të gjykatës, kanë nisur t’i shkatërrojnë”, tha ai.