Nga: L. Skiro

Koment/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe për dijeni Guvernatorit te Bankës së Shqipërisë një letër, ku u bën thirrje që mos të rrezikojnë me financimin e PPP-ve, pasi sipas tij janë para te pista.

Basha thekson se nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve të fundit, janë prodhuar miliarda euro, një pjesë e të cilave “janë përdorur për të korruptuar qeveritarë dhe punonjës publikë me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike apo/dhe korrupsioni.”

Pas kësaj lindin disa pyetje:

Një parti në opozitë, e cila ka braktisur Parlamentin dhe gjithë institucionet qeverisëse të vendit, si edhe vullnetin e popullit që ka zgjedhur deputetë nga kjo parti;, tani më në fund bën thirrje publike për rrënimin e investimeve në vend. Sikur bankat dhe investitorë të tjerë të dëgjonin këtë zë partie, atëherë vendi do të binte në kolaps brenda pak ditësh. Do të bëhej (në një mënyrë tjetër) si në vitin e tmerrshëm 1997, kur qeveria e po kësaj partie e çoi vendin në katastrofë përmes skemave piramidale financiare. Në fund të ‘luftës civile’ të 1997, buxheti i shtetit kishte vetëm 17 milionë lekë gjithsej. Nëse nuk do të ishte bota rreth nesh që të na nxirrte nga gropa, popullsia ra në gjendjen e urisë.

Po pse nuk u dashka ‘financuar programi PPP’ i qeverisë? Ky është një program i njohur dhe pranuar botërisht. Për vendin tonë me financa të dobëta, programi PPP ka leverdi të madhe shpejtimi të zhvillimit ekonomik e kulturor. Nëse një stadium, bie fjala, do të ndërtohej pas 20 vjetësh- sipas kapaciteteve të qeverisë,- me PPP ndërtohet për dy vjet; njerëzit e shijojnë këtë investim edhe 18 vjet para kohe. Domethënë se është thuajse gjysma e një brezi që prek të mirat e jetës para se të shkojnë në amshim pa i parë.

Po pse nuk u dashka modernizuar vendi dhe vetë shteti? Pyetja bëhet sepse po të stopojnë investimet e bankave- siç urdhëron Partia, atëherë vendi nuk do të përparojë, do të mbetet shumë mbrapa fqinjëve dhe anëtarëve të Evropës, do të dëshpërojë qytetarët e vet si një vend pa rrugë të gjëra, pa bibliotekë, pa institucione kulturore, pa ndërtime të bukura… Vendi do të kthehet pas, dmth., në primitivizëm. Kjo tendencë është manifestuar fuqishëm nga Partia në fjalë dhe aleatët e vet gjatë vitit të fundit, të cilët nxorën në rrugë militantë e interesaxhinj për të ndaluar ndërtimin e Unazës së Tiranës, rrugët e tjera, mbikalimet, Teatrin, etj.

Po kërcënimi që i bën PD çdo banke dhe investitori, çfarë kuptimi ka? PD kërcënon bankat se ‘sa të vijmë ne në pushtet do t’ua marrim’. Çfarë do të marrin: Rrugët, mbikalimet?, Teatrin?, Bibliotekën?, stadiumin?, spitalin?… Çfarë? Se këto të gjitha janë të popullit, të ekonomisë së vendit…

Tingëllimi i këtij kërcënimi shkon deri në vitin komunist 1946, kur fitimtarët komunistë kërcënuan pronarët e vendit, bankierët, biznesmenët se ‘do t’ua konfiskojmë pasurinë ne që erdhëm në pushtet”. Po ç’kuptim ka kjo sot, në kohë lirie, kohë demokratike, të ekonomisë së lirë dhe lirisë së investimeve? Hajde gjeje në mendjen e Partisë që nuk e pranon zhvillimin e vendit…

VERITAS.COM.AL/