Pas disa ditëve me temperatura ekstreme të larta, një pjesë e Italisë është përfshirë nga moti i keq me stuhi e përmbytje.

Mediat në Itali raportojnë se gjatë natës një stuhi me rrufe, shira të rrëmbyer dhe erëra të forta ka goditur rajonin e Lombardisë dhe kryesisht Milanon. Në disa zona ka pasur reshje breshri.

Në Milano pati përmbytje në disa zona, ndërsa shumë pemë u rrëzuan, e një prej tyre i ka marrë jetën një 16-vjeçari.

Reshjet e shiut në qytet kanë qenë të shkurtra, por shumë intensive dhe parashikimet thonë se pritet të ketë sërish reshje të tjera.

Stuhia “shkaktoi dëme serioze edhe në rrjetin tonë elektrik”, raporton ATM, kompania milaneze e transportit, e cila sqaron se “disa pjesë të qytetit janë pa energji elektrike, ndërsa pemët e rëna dhe mbeturinat në rrugë kanë bllokuar qarkullimin normal të mjeteve të transportit.

Mediat raportojnë se në provincën e Monzas një 58-vjeçare ka humbur jetën.
Gruaja ishte strehuar duke pritur që të mbaronte stuhia, por kur lëvizi u godit nga një pemë e madhe, që i ra papritur. Ka pasur një thirrje të menjëhershme për ndihmë nga disa kalimtarë, por pa sukses.

Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, raporton se një breshër jashtëzakonisht i madh ka dëmtuar aeroplanin që po fluturonte nga Milano në New York. Kjo sitiatë “apokaliptike” e ka detyruar atë të bëjë ulje emergjente.

Për shkak të stuhive që italianët e kanë përshkruar në rrjete sociale si ‘apokalips’, ATM-të, autobusët dhe tramvaji janë përkohësisht jashtë funksioni.Përpos se në Monza, linjat hekurudhore janë kufizuar edhe në zona të tjera.

Gjithashtu, meteorologët kanë parashikuar se një situatë e ngjashme meteorologjike edhe gjatë orëve në vijim.