6 qytetar kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID -19 në vendin tonë në 24 orët e fundit. Ministria e Shëndetësisë njofton se nuk e kanë fituar betejën me COVID19 gjashtë qytetarë: një qytetar nga Tirana 61 vjeç, një qytetar nga Elbasani 65 vjeç, një qytetare nga Fieri 66 vjeç, dy qytetarë nga Vlora 68 dhe 75 vjeç dhe një qytetar 80 vjeç nga Berati.
Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shënuar 780 raste të reja, nga 4022 testime të kryera në gjithë vendin dhe qyteti me numrin më të lartë të rasteve është Tirana. Ndërkohë aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 224 pacientë, nga të cilët 19 janë në gjendje më të rënduar. Në gjithë venditn janë 12,789 pacientë aktivë me COVID19.
Me afrimin e stinës së vjeshtës situata e COVID në vendin tonë po vijon me rritje të infektuarve. Prej 1 shtatorit e deri më 18 shtator janë konfirmuar 15.786 raste me COVID-19. Dita me shifër rekord të infektuarish u shënua më 8 shtator me 1079 raste të reja.
Numri i viktimave si pasojë e COVID është rritur, mesatarisht çdo ditë ka 5 humbje jete. Vetëm në 18 ditë nuk kanë mundur t’
i bëjnë ballë virusit 76 qytetarë. Ndërkohë sot kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID 6 qytetarë dhe janë shënuar 780 raste të reja. Që prej fillimit të pandemisë në mars të 2020-ës numërohen 2,574 viktima.
Çdo ditë mesatarisht ka 20 shtrime në ditë në Spitalin Infektiv, struktura kryesore e COVID që pret urgjenca, e më pas bëhet shpërndarja e pacientëve drejt COVID 3, në varësi të gjendjes shëndetësore.
Në dy spitalet COVID ka 224 pacientë, prej të cilëve 19 janë në gjendje më të rënduar. Dy strukturat kanë kapacitet për 270 shtretër, ku momentalisht janë të lirë 46 shtretër. Me ezaurimin e këtyre kapaciteteve pritet që të hapet spitali COVID 4 në autostradë godina e një ish universiteti privat. Nëse situata do të përkeqësohet në muajt në vijim sipas skenarit të ministrisë së Shëndetësisë do të vihen në funksion edhe spitalet rajonale.