Drejtore e Spitalit IUnfektiv dhe deputete e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, Najada Çomo, ka deklaruar se Shqipëria po hyn në një zonë jeshile tashmë.

Çomo thekson se këtë vit vendi ynë mund të presë turistë, duke shtuar se situata nga Covid do të përmirësohet nga qershori dhe më tej.

“Kemi nga janari që kemi filluar vaksinimin. Ne lançojmë përditë numrin e të vaksinuarve, të infektuarve dhe fataliteteve. Do jemi një vend, s’po them fare, por do jemi vend që do kemi situatë mjaft të mirë nga Covid në qershor e më pas dhe këtë gjë e tregojnë shifrat. Vaksinat e bëra janë arma më e fortë. Shqipëria po hyn në zonë jeshile dhe urojmë të shkojë gjithçka në mënyrë pozitive. Situata është jo e lehtë, por drita jeshile është ndezur dhe duhet mbajtur e ndezur. Por, ky është virus tinzar, dhe duhet gjithmonë kujdes. Është një armatë e vaksinuar në vend dhe sidomos ata njerëz, që punojnë në hoteleri, në zona kyçe, pra ku ka përhapje të Covid”, tha Çomo.

Najada Çomo nënvizon se virusi po eliminohet në mënyrë graduale, teksa thënë se mjekët kanë mirë-menaxhuar pandeminë.

“Virusi po eliminohet në mënyrë graduale. Kjo sepse një pjesë e mirë e popullatës është vaksinuar. Procesi i vaksinimit uroj që të ecë me këto ritme. Një nga armët e fuqishme të frenimit të sëmundjes, është vaksinimi. Kryeministri Rama ka meritë për përmirësimin e situatës nga koronavirusi, unë besoj se është kryeministri i duhur dhe në kohën e duhur, që dha shumë për të përmirësuar situatën nga Covid. Duhet të mos harrojmë se popullata shqiptare, njësoj si popullatat e tjera, ka edhe sëmundje të tjera. Pra, janë edhe sëmundje të tjera, që sjellin pasojën e humbjes së jetës. Është krejt e pamundur që të fshehësh një vdekje nga Covid. Nuk ka gjasa dhe arsye pse të fshehim vdekjet nga koronavirusi. Po ne jemi ende në luftë. Popullata nuk duhet të ketë frikë, por duhet të mos humbim vëmendjen. Ne kemi mirë-menaxhuar pandeminë. Jemi e do jemi deri në fund në gatishmëri për punë”, u shpreh Çomo.

VERITAS.COM.AL