Nga: Afrim Krasniqi, Express/

A ka Shqipëria kapacitete për të pasur 9240 kandidatë per deputete?

A është profesioni i deputetit një profesion cfarëdo që mund të bëjë kushdo, mjafton të jetë mbi 18 vjec dhe të ketë një dokument identifikimi? A mund të ketë popull më deputet-dashës sesa shqiptarët, – të cilët në sondazhe tregojnë se janë edhe më të zhgënjyerit në rajon ndaj deputetëve dhe parlamentit? Janë pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje. Sepse dihen përgjigjet. Janë regjistruar 2100 kandidatë për zgjedhjet e 18 qershorit 2017. Janë vetëm 15 nga 66 parti politike. Nëse të gjitha partitë do të regjistroheshin në zgjedhje atëherë do të kishim edhe 7140 kandidatë të tjerë, ose në total, 9240 kandidatë në një numër votuesish prej 1.7 milion. Në total do të kishim 1 kandidat për 183 zgjedhës.

2 parti shqiptare kanë 30 kandidatë për deputetë me të njëjtin mbiemër

Fiktiviteti i partive, fiktiviteti i zgjedhjeve, fiktiviteti i konkurrencave dhe fiktiviteti i shumicës së gjërave që politika ka prodhuar e prodhon, provohet më së miri në këto dy lista partie, të evidentuara nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike . Janë dy parti politike, MEGA dhe PAD, e para pjesë e koalicionit me PD më 2013 dhe jashtë dy koalicioneve politike më 2013, e dyta pjesë e koalicionit me PD më 2013 dhe pjesë me koalicionin e PS më 2017, e para partia e dytë e minoritetit grek në Shqipëri, e dyta partia e dytë liberale në Shqipëri, e para me kryear Kristo Kiço e seli në Sarandë, e dyta me kryetar Eduart Abazi e seli në Tiranë. Secila ka paraqitur nga 140 deputetë, – sic shihet, – nga 15 anëtarë me një mbiemër, babai, djali, vajza, xhaxhai, nipi, mbesa dhe ca kushërinj të afërt apo të largët! Tek MEGA pesë mbiemra përbëjnë më shumë se 50% të listës së kandidatëve. Tek parti të tjera, përfshirë PSD, PKSH, AAK, ADK, etj, gjenden një numër i madh familjarësh në listë. Dhe kështu, ja u bë lista dhe hajde tani të bëjmë parti e zgjedhje. Kështu mbahet partia, kështu bëjmë pluralizëm.

A janë partitë kaq familjare? A mund të jenë zgjedhjet kaq familjare? A mund të cilësohet fiktiviteti i kandidatëve standard i pranueshëm demokratik? Ka më shumë se një përgjigje. Psh, ligji ynë i detyron partitë të jenë fiktive, sepse u kërkon të vendosin kandidatë në shumë zona zgjedhore, edhe ku nuk kanë anëtarë. Se ligji ynë i detyron partitë e vogla të respektojnë formalisht kuotat gjinore dhe kështu të fusin në listë familjarët e tyre të gjinisë tjetër, në mënyrë që t’i shpëtojnë gjobës. Me një gur vrasin katër zogj: bëjnë listën, mbajnë partinë, respektojnë kuotat dhe shfaqen si parti me shtrirje kombëtare…!!!

Është koha të mendojmë jo vetëm për 18 apo 19 qershorin, por të mendojmë seriozisht edhe për një reformim tërësor të legjislacionit mbi partitë dhe zgjedhjet. Partitë kanë vlerë kur janë konkurruese, kur janë të ndryshme, kur janë prezente, kur janë aktive, kur ofrojnë vlera dhe kur jetësojnë pluralizmin e ideve dhe platformave. Përndryshe, i shndërrojmë 66 partitë në 66 fise kryetarësh dhe të miqve të tyre besnikë, sic edhe në tërësi të tilla duket se janë.