Deklarata e presidentit të Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan, se lojtarë të kombëtares së tij kanë shitur ndeshjen kualifikuese ndaj Shqipërisë, e bërë një ditë më parë, ka ekzaltuar mediat serbe, por edhe ato daneze. Të parat nuk e kanë diçka të re, që të sulmojnë ngjyrat kuqezi, t’i kenë ato “halë në sy”, ndërsa të dytat duket se nuk u besojnë ende syve, se kombëtarja e tyre është në shtëpi, ndërsa ajo e drejtuar nga De Biazi do të shkojë në finalet e “Euro 2016”.“Ekstra Bladet” ka bërë një shkrim të plotë, madje duke kontaktuar edhe UEFA-n, e cila paska thënë se do të iniciojë një hetim mbi ndeshjen Armeni-Shqipëri, pas vetëakuzave të presidentit të Federatës Armene. “Tani ka dyshime se ndeshja Armeni-Shqipëri në grupin kualifikues të Danimarkës mund të ketë qenë e rregulluar, çka mund të ndryshojë grupet e Kampionatit Europian, në qoftë se vërtetohet. “Unë jam i bindur se ishin blerë lojtarë të kombëtares sonë, – tha presidenti i Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan.
Pra, Danimarka mund të marrë hapësirë në fazën finale të “Euro 2016”. Nëse nuk ia doli përballë Zllatan Ibrahimoviçit në “play-off”, mund të përfitojë nga skandali i dyshuar, që përfshin Shqipërinë, e cila zuri vendin e dytë në grup. Deklarata e Ruben Hayrapetyan është një lajm, që mund të “rilyejë” të tëra finalet e Kampionatit Europian. Ndeshja kualifikuese midis Armenisë dhe Shqipërisë mund të ketë qenë e paracaktuar. Më parë, të tilla thashetheme kanë qarkulluar dhe kanë shigjetuar tre nga mbrojtësit dhe portierin e Armenisë. Për ta është thënë se kanë fituar katër milionë euro në këmbim të tolerimeve në ndeshjen kundër Shqipërisë.
Këtë e përforcon më shumë akuza e vetë presidentit të Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan, që thotë se disa nga lojtarët e kombëtares së tij ishin korruptuar. “Unë jam i bindur se ishin blerë disa lojtarë tanët në atë ndeshje. Ekipi ynë kombëtar thjesht nuk ka luajtur, ka pasur lojtarë, të cilët nuk kanë luftuar për ta mposhtur Shqipërinë. Edhe nëse do të kishim pasur trajnerin më të mirë në botë, rezultati do të kishte qenë i njëjtë,” – tha Ruben Hayrapetyan.
Shqipëria e fitoi 3-0 ndeshjen në Jerevan, që ishte e fundit dhe vendimtare për të shkuar në finalet e Kampionatit Europian. Danimarka kishte nevojë për ndihmën e Armenisë, por kjo nuk ndodhi, ndaj iu desh të luante në “play off”, ku u mund nga Suedia. A mund të ketë efekt mbi fazën finale të “Euro 2016” kjo ndeshje kualifikuese, e dyshuar për trukim? UEFA ka konfirmuar në një email për “Ekstra Bladet” se do të iniciojë një hetim mbi këtë ndeshje, nëse ka dyshime se loja mund të ketë qenë e paracaktuar. Nëse akuzat dhe provat kundër ndeshjes do të forcohen më tej, një efekt i mundshëm mund të jetë edhe ky: Danimarka merr një vend në finalet e Europianit të Francës. “Ne kemi dëgjuar edhe më parë thashetheme në lidhje me këtë, por nuk kemi parë ende ndonjë dokument, që përputhet me ndonjë parregullsi. Ne nuk kemi qenë të kontaktuar për këtë çështje asnjëherë, nga askush, as nga UEFA, ndaj nuk mund të flasim në lidhje me dhënien e informacioneve shpjeguese të reja, ende,” – thotë shefi i zyrës së komunikimit në Federatën Daneze të Futbollit, Jakob Hoyer.
Ndihmëstrajneri Peter Bonde është më i mprehtë në mendimin e tij: “Nëse një president i një federate futbolli shkon deri aty, sa të thotë se ka informacione për fiksimin e ndeshjeve, kjo është më shumë se vetëm thashetheme. Kur diçka e tillë ndodh, unë supozoj se UEFA po e heton çështjen, përndryshe të gjithë mund të flasin për një lojë të pandershme, por kjo nuk do të kishte asnjë rol,” – thotë Bonde për “Ekstra Bladet”./ Telesport
26 Nën 2015