Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e ka përkrahur aksionin policor të Shqipërisë më 20 qershor, kur Policia e Shtetit kreu kontrolle në kampin e Manzës së Durrësit, ku janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të opozitës iraniane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka konfirmuar se gjatë këtij aksioni ishin lënduar 15 zyrtarë policorë dhe 21 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”.
Drejtori Rrumbullaku tha se kur kishte nisur kontrolli i të gjitha objekteve brenda kampit, kur u konstatuan paligjshmëri, salla serverash dhe pajisje kompjuterike, nisi rezistenca e anëtarëve të MEK. Zyrtarët e Shqipërisë nuk bënë të ditur se çfarë hetimi po kryen SPAK-u ndaj anëtarëve të MEK.
Sipas njoftimit, Policia e Shqipërisë tha se kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.
I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej.
Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).
Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.
Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.
Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.
Radio Evropa e Lirë