Anulimi i gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, ka shkaktuar debat në kuvend, pasi opozita akuzoi se nuk është në dijeni të këtij vendimi. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin replikoi pas akuzave të opozitës lidhur me pr/ligjin e ri për anulimin e gjobave.
Sipas ministrit Balla rregullorja është e qartë dhe në këtë rast nuk ka shkelje siç deklaruan deputetët të opozitës lidhur me kalimin me procedurë të përshpejtuar.
“Kemi disa raste, shumë raste të penalizimit të padrejtë të qytetarëve për riparim çatie, për një mur mbajtës të një shtëpie apo avllie. Dhe në këtë kontekst, deputetë të PS, do ftoja edhe ata të PD-së që ta përmirësojnë draftin kur të diskutohet në komision. Ajo që po thotë kryetarja me shumë të drejtë është që në fund të seancës, pasi të shpërndahet te të gjithë deputetët drafti i propozuar, sepse e ka të përcaktuar rregullorja si bëhet, njohja me draftin bëhet në komision sipas rregullores. Procedura e Kuvendit është shumë e qartë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që sapo të depozitohet një nismë ta kenë të gjithë deputetët Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartona, jo një, sepse ka të bëjë me qytetarët”, tha ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi falja e gjobave për ndërtimet pa leje, është në shkelje të kushtetutës.
Ndërsa deputeti demokrat Flamur Noka akuzoi socialistët se po tentojnë të miratojnë një ligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, për të përfituar para zgjedhjeve.
“Ju që keni burgosur njerëzit për 5 mijë lekë për energjinë elektrike, tani doni t’i falni. Çfarë do t’i thoni familjeve të atyre që kanë vrarë veten për burgun tuaj”, tha Noka. (A2 Televizion)