Publikuar nga Descript.al

Gjiganti mediatik BBC i ka kushtuar një artikull të tërë masakrës së kryer nga serbët në Krushë të Madhe.

Në artikullin që mban datën 4 prill të vitit 1999 vërtetohet edhe ekzistenca e filmimeve të masakrës në Krushë të Madhe nga ushtria serbe.

BBC shkruan ndër të tjera se videoja ishte siguruar nga një banor i zonës, Milaim Bellanica, i cili në atë kohë i tha BBC-së se e kishte bërë këtë filmim për nipërit dhe brezat e ardhshëm si një dëshmi për mos të harruar çfarë bënë serbët në Krushë.

Pamje nga artikulli i BBC:

Ky material filmik që dokumentonte krimet serbe duhet të ishte në zyrat e UNMIK si një nga argumentet kryesore për të dënuar ata që urdhëruan dhe ekzekutuan masakrën e Krushës, por kaseta nuk është dorëzuar kurrë aty ku duhet.Nga ana e tij, Milaim Bellanica ka deklaruar në një intervistë në Top Channel se atë kasetë ia ka dorëzuar Lulzim Bashës, i cili i kishte premtuar se do ia kthente. Por edhe pse kanë kaluar shumë vite ajo kasetë nuk është kthyer kurrë.

Ndërkaq, vetë kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se nuk e njihte Milaim Bellanicën dhe nuk e kishte takuar kurrë. Por ky i fundit e akuzon kreun e PD-së se ka gënjyer dhe thotë që është i gatshëm të përballet me të.

Bellanica thekson se atë kasetë e ka akoma Lulzim Basha, ndërsa shton se me këtë veprim Basha po mbron dhe po iu del në krah të forcave serbe.

“Lulzim Basha, ti shumë mirë po flet por ta dish që vërtetë e ke ti atë inçizim, të cilin unë e kam bërë vetë, jo ti, se kur ke ardhur në Kukës, ke ardhur me helikopter. Tani mos thuaj që është gënjeshtar ky person kur vetë ti më ke thënë që unë i ruaj më mirë në Gjyqin e Hagës se jam punëtor i Hagës. Unë po befasohem si po thua ti po gënjen personi, mua më ke drejtpërsëdrejti, unë nuk të iki, ti po më ikën.

Atë ditë më ka thënë: Nuk shkon gjatë, për 1 muaj e kthej. Sa të shkoj në Hollandë, e marr incizimin, bisedoj me prokurorin. Shkoi 8 vite, 9 vite pa u kthyer ai incizim. Tani që e pa ngushtë po thotë që Milaim Bellanica është gënjeshtar. Lulzim Basha po del që po i përkrah forcat serbe, përkrah të padrejtën”, tha Milaim Bellanica.

Megjithatë, pamjet filmike për të cilat flet Milaim Bellanica qarkullojnë në YouTube.