“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale”.
Sipas burimeve pranë BE-së, delegacioni u shpreh se, “do të vazhdojmë konsultimet me autoritetet përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”.
Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj si dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë zhvilluar një takim në ‘Vilën 30’ me ambasadorët e huaj në vendin tonë, ku ndër to po marrin pjesë ambasadorja e BE-së, Christine Hohmann, ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith.
Tre muaj më parë, BE u pozicionua kundër draftit të ligjit në Shqipëri për amnistinë fiskale.
Sipas deklaratës zyrtare, ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.
Ndërkohë, vijon njoftimi, do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.
“Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, përmbyllet qëndrimi i BE-së.
Drafti i amnistisë fiskale
Draftligji përcakton të gjitha rregullat, garancitë dhe veprimet e subjekteve që do të përfitojnë nga procesi i deklarimit vullnetar të pasurive dhe njëkohësisht saktëson se cilat do të jenë institucionet publike që do të administrojnë këtë proces.
Fillimisht ai u hartua në vitin 2020, por nuk u arrit konsensusi me opozitën e cila ishte jashtë parlamentit.
Nëpërmjet këtij drafti Qeveria iu kufizon deklaruesve vullnetar mundësinë për të transferuar jashtë vendit paratë e deklaruara për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i deklarimit.
Në rastet kur subjektet deklaruese duan t’i transferojnë shumat e deklaruara jashtë vendit para këtij afati, ndaj tyre parashikohet penalitete.
Fillimisht ato do të ‘sanksionohen’ në masën 30% të shumës së transferuar.
Për deklarimet vullnetare të shumave në para, në pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, që bëhen në katër muajt e parë nga hyrja në fuq e ligjit norma e tatimit është shtatë për qind.
Ndërsa pas kësaj periudhe: 10% e shumës totale të deklaruar.
Po ashtu nëse subjektet vendosin t’i investojnë pasuritë e deklaruara në tituj shtetëror, bono thesari apo obligacioni jo më të vogla se 2-vjeçare, Banka e Shqipërisë do të mbajë një tatim prej pesë për qind të shumë totale për investimet e bëra në 4-mujorin e parë – prej hyrjes në fuqi të ligjit – dhe shtatë për qind pas kësaj periudhe kohore.
Për zbatimin e kësaj amnistie fiskale dhe penale, pra që iu fal deklaruesve vullnetar gjobat, penalitetet apo kamatëvonesat për pasuritë e tyren si dhe i përjashton nga ndjekja penale, do të ngrihet një strukturë e posaçme në varësi të Drejtorisë së Tatimeve.
Amnistia parashikohet të zbatohet për një periudhë 9-mujore nga hyrja në fuqi e ligjit.