Vendimin e gjykatës për të dënuar me burg Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm, me 5 vite burg, për ‘Shpërdorim të detyrës’, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim, ka sjellë edhe reagimin e politikës. Ambasadorja amerikane Yuri Kim, inkurajoi institucionet gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë, nuk është mbi ligjin.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se vendimi dëshmon se të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas Bashës faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturuar kriminal, janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij.
Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.
Sipas Gjykatës Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit
Në përditësim…