Nga Enkel Demi

Është e tmerrshme ajo që ndodhi në Selenicë. Është e papërshkrueshme kjo ngjarje, e cila na rrëfen sa të lirë e ka çmimin e jetës shqiptari. Ne jetojmë ende në një shoqëri primitive, ku për ca pula kryhet një masakër. Primitivizmi i shoqërisë sonë vazhdon me qeverinë që nuk e vë ujin në zjarr, përkundrazi vazhdon të theket në diell, madje ka paturpësinë të flasë për rritje ekonomike. Nuk ka një mbledhje urgjente të kabinetit, dorëheqje apo shkarkime në polici, një qëndrim të ministrit të brendshëm, lëre pastaj një reagim të shëndetshëm si klasë politike që kërkohej nga Namik Dokle.

Nuk ka asgjë; janë vrarë tetë frymorë në një humbëtirë dhe kaq.

Por, shoqëria shqiptare nuk heq dorë nga primitivizmi i saj; zbraz urrejtjen, atje ku mundet të shprehet në liri, në rrjetet sociale. Për paradoks, në të njëjtat rrjete vrasësi kryen sfidën e tij maroke.

Shqiptarët kërkojnë për vrasësin dënime të shumëllojshme, të cilat janë nga varje në litar, plumb ballit, rrjepje lëkure, për të shkuar tek një koleksion të tërë torturash mesjetare para se t’ia ndajnë jetën. Ky farë “referendumi” popullor rrëfen më së miri që në thelb një njeri që tërbohet, meqë e akuzuan se vodhi pulat dhe ca të tjerë që evokojnë rrjepjen e tij të gjallë, janë prodhim i të njëjtës shoqëri primitive, e cila i ka veç për propagandë standardet e demokracisë, zgjedhjet e lira, të drejtën e jetës, pronës e kështu me radhë.

Kjo shpjegon për bukuri, përse shqiptarët udhëhiqen nga dallkaukë që i vjedhin, i grabisin, u marrin plaçkën dhe shpirtin. Kjo shpjegon qartazi, përse qeveria mendon se vetëm me hu udhëhiqet ky milet, prandaj e plasin në burg për një faturë energjie, e lënë të vdesë majë shtyllës për të lidhur korrentin, e lënë pa bukë, i grabisin pronën në mes të Tiranës, policinë ia besojnë narkotrafikantëve, reformën në drejtësi pinjollëve të ish-Bllokut.

Dënimi me vdekje apo çdo alternativë e tij mesjetare, nuk ka për ta zgjidhur kurrë masakrën e radhës që do të vijë mos nesër, në ditët, javët a muajt e ardhshëm. Ideja se frika ruan vreshtin është bërë bozë, nëse nuk gjejmë forcë të dalim nga qerthulli i shoqërisë primitive, ku krimi më popullor ka motivin “pse m’shef?”. Përderisa në shtëpitë e shqiptarëve kërcet druri si “gamori n’duhon”, gruaja, motra, nëna shembet në dru, polici të dhunon në rrugë, prokurori në gjyq, gjykatësi, kur jep vendimin, qeveria, kur të grabit dhe të gjobit ty për hajninë e saj, atëherë përse duhet të çuditemi që njëri vrau tetë njerëz për pulat? Ai është qytetari më i denjë i kësaj shoqërie dhe këtij sistemi, ku mbizotëron kudo vetëm një ligj; ligji i xhunglës ose më mirë: “peshku i madh e ha të voglin”.

Nuk ndodh në politikë e njëjta gjë?

Nuk ndodh në media e njëjta gjë?

Nuk ndodh në rrjetet sociale?

Nuk ndodh në katund dhe qytet?

Nuk ndodh në shtëpi?

Prandaj, sikur ta rrjepin dhe më pas ta shkojnë në hell atë gjytyrymin e Selenicës, asgjë nuk ka për t’u zgjidhur, pasi e keqja nuk është heqja e dënimit me vdekje, por shoqëria primitive, ku kemi lëshuar rrënjë. (27.al)