Një grup parlamentarësh nga Holanda kanë mbërritur në Tiranë për të parë nga afër çfarë ndodh me krimin dhe korrupsionin në Shqipëri dhe pas kësaj për t’i thënë shtetit të tyre të votojnë ‘pro’ apo ‘kundër’ negociatave me Shqipërinë.

Këtë praktikë ka ndjekur Holanda pasi KE dha lajmin se ‘rekomadjojmë negociata’.

Komisioni Europian dha dritën jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit, fjalën e fundit e kanë vendet anëtare të BE-së, por jo të gjitha shtetet anëtare të BE janë pro çeljes së negociatave. Në listën e vendeve skeptike për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është edhe Holanda. Një delegacion nga Holanda ka mbërritur sot në Tiranë për të parë ecurinë e reformave të ndërmarra deri tani në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Delegacioni i cili përbëhet nga një grup deputetësh është takuar me kryeministrin Edi Rama. Më pas ata janë takuar me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe deputeten Jorida Tabaku. Në një prononcim për mediat pas takimit me Ramën dhe Bashën, ata u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave për integrimin në BE.

Deputeti Pieter Omtzigt nga Partia Kristian Demokrate u shpreh nuk mjafton vetëm ajo që është bërë, ndërsa kërkuan që zyrtarët e korruptuar të çdo niveli të dalin para drejtësisë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishin edhe kriminaliteti shqiptar në Holandë, që sipas tyre është rritur në vitet e fundit.

“Është bërë një propozim nga Komisioni Europian dhe për çeljen e negociatave dhe për këtë qeveria jonë e ka tashmë pozicionin e saj të shprehur dy javë më parë. Qeveria jonë është ekstremisht hezituese për hapjen e negociatave me Shqipërinë këtë moment. Prandaj ne si parlament vendosëm të organizojmë këtë mision faktmbledhës me anëtarë të 7 partive të ndryshme politike holandeze pra të gjitha partitë kryesore janë këtu. Më pas ne do te kemi një debat se si po shkon zbatimi 5 prioriteteve. Anëtarët e delegacionit kanë bërë shumë pyetje ndër me kryesoret ato që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria jonë do ta thotë fjalën e fundit, por përpara do të duhet të ketë aprovimin final nga parlamenti”,- tha deputeti i parlamentit të Holandës.

Duke parë deklaratat që janë bërë në Tiranë, duket se dhe qëndrimi i deputetëve holandezë do të jetë edhe me kritikë gjatë votimit në Holandë.

Gjermania, Franca dhe Holanda janë tre vendet skeptike për hapjen e negociatave në fund të qershorit. KE vendosi që të rekomandojë hapjen e negociatave në 17 prill, por deri në fund të qershorit qeveria shqiptare duhet të lobojë fuqishëm për të bindur vendet skeptike që të thonë “PO”.

Veritas.com.al/