Deputetja e PD, Oriola Pampuri tha se bashkimi i Partisë Demokratike nuk mund të realizohet me dreka dhe as duke mbledhur firma për shkarkimin e Alibeajt nga kreu i grupit parlamentar.

Në një lidhje skype për ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, ajo tha se interesat personale duhet të mënjanohen përballë atyre publike, duke theksuar se ngërçi më i madh ishte shpallja ‘non-grata’ e Berishës që ndante PD-në në dy pjesë.

Pampuri tha se ngërçi më i madh për PD-në është ‘non-grata’ e Berishës pasi për të njëjtën gjë vetë deputetët e PD kishin akuzuar zyrtarë të PS në 2021-shin. Sipas saj PD nuk mund të ketë standarte të dyfishta për të tilla çështje.

“Bashkimi nuk mund të ndodhë as me një drekë dhe as duke mbledhur firma nëpër skuta. Bashkimi ndodh me platforma reale duke u mbështetur në disa modalitete mes dy palëve.

Ashtu sikurse u diskutua mes Bardhit dhe Palokës. Kjo mundësi për të pasur kandidatë nën logon e PD-së nuk duhet kurrsesi të vendosen kushte.

Ne kemi ngërç të madh, non-gratën e Berishës. Në në 2021, kemi akuzuar shumë herë zyrtarë të PS dhe nuk mund të bëjmë lojë të dyfishtë, duke shkelur standartet tona.

Në këtë moment, duhet të kishte një bashkim të bazës me qëllim që të ofronim një opozitë të fortë përballë Ramës”-tha Pampuri.