Nga: L. Skiro
Fjala ‘bllok’ në këtë rast ka një konotacion jo të largët me ‘bllokun’ e udhëheqjes komuniste që në këtë epokë përfaqësohet me disa klube luksoze nate për të rinj. Edhe ky- një bllok politik është, por bllok i opozitës. Bashkimi i partive në një koalicion të caktuar, tashmë është quajtur ‘blok’.
Por sapo ka nisur të formësohet ky bashkim i ri thuajse një vit para zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2019, blloku duket se ka dështuar ‘në vezë’. Partia demokratike, si prijëse e bllokut, në rrugën për të bashkuar ‘të gjithë, me kuç e me maç’ për rrëzimin e qeverisë, ka bërë bashkë kundërshtarët e papajtueshëm. PDIU dhe PBDNJ- dy parti që jetojnë vetëm për motivin se nuk pajtohen me njëra tjetrën, janë thërritur për të formësuar koalicionin ose bllokun e opozitës.
PBDNJ (e quajtur ndryshe ‘partia greke’) dhe PDIU ( e thërritur ndryshe ‘partia anti- greke’ e Çamëve) janë bërë bashkë nga dora e PD në bllokun opozitar. PBDNJ ndodhej në këtë bllok që prej kohësh kur u largua nga blloku qeverisës i majtë, kryesuar nga PS; ndërsa PDIU sapo është thërritur menjëherë pasi ka lënë bllokun qeverisës.
Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule zhvilloi sot një takim me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, ku sipas gjithë gjasave i ka kërkuar ‘pse’ është thërritur PDIU që të ulet në një tavolinë me PDNJ.
Që sot nis dekompozimi i bllokut ende pa u kompozuar.
PD e di këtë, por të bën përshtypje pse ndodh që duke e ditur se po e ngjis bllokun ‘të shkatërruar’, atëherë pse e bën këtë.
Vetë PDIU është krijuar nga sponsorë të Çamërisë si forcë politike kundër ‘grekëve’ të paktën kundër këtyre që ndodhen në politikën e Tiranës. Kur e majta maxhoritare ka dashur të largojë ‘grekët’ nga koalicioni, në atë moment ka ftuar ‘çamët’ që të vijnë në koalicion. Ose vice- vërsa: Kur ka dashur të largojë çamët ka ftuar ‘grekët’ e PBDNJ.
Kësaj here këtë gjë e bëri Opozita e kryesuar nga PD. Duke ftuar ‘çamët’ e PDIU, përzë ‘grekët’ e PBDNJ. As njëra, as tjetra nuk ‘u lejohet’ të rrojnë nën të njëjtën çati. Nëse njëra pranon tjetrën, atëherë sponsorët politik të asaj që qëndron nuk sponsorizojnë më dhe partia vdes…
Në këtë rast, a do të vdesë PBDNJ apo PDIU? Apo do të vdesë ‘blloku’?
Kjo është vënë në pikëpyetje sot gjatë takimit të partive aleate PD dhe PBDNJ. Kryetari i PBDNJ, Dule e tha qartë se ‘PBDNJ, është një parti që ka prioritetet e veta, dhe është e prerë në parimet e saj për bashkëpunimin’, që do të thotë se nuk mund të bashkëpunojë me të gjitha partitë, sidomos me PDIU- në e Çamëve..
Po votuesit çamë, vallë do të votojnë për partinë e ‘tyre’ PDIU, nëse ajo bashkëpunon me ‘grekët’ në të njëjtin bllok?
Pyetjet janë thuajse ekzistencialiste për ‘bllokun’.
Veritas.com.al/