Detaje tronditëse dalin në dritë nga vrasja e 28-vjeçares Irvana Hyka në Fier, e cila u qëllua 31 herë me thikë nga bashkëshorti i saj brenda banesës në sy të fëmijëve të mitur. Burime bëjnë me dije se e reja ka qenë në javën e 6-të të shtatzënisë, në pritje të fëmijës së saj të tretë, ndërkohë që për Fax News ka folur dhe xhaxhai i viktimës.
Ai është shprehur se vajza ka qenë tip i mbyllur, dhe nuk i ka rrëfyer familjes probleme që mund të ketë pasur me bashkëshortin e saj.
Babai i vajzës dhe të afërm të tjerë shprehen jashtë kamerave se me dhëndrin nuk kanë pasur probleme, dhe fillimisht iu është thënë se vajza kishte ndërruar jetë në mënyrë aksidentale.
“Di që nuk kanë pasur probleme në familje, lajmin e kemi marrë në mënyrë private, është herët që të flasim se çfarë do të ndodhë me fëmijët e mitur”, shprehet xhaxhai i viktimës.
Burime bëjnë me dije se autori e ka qëlluar të renë 31 herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të thella në të gjithë trupin, ç’ka i shkaktoi vdekjen në banesë, pa u transportuar për në spitalin e Fierit.
Autori i këtij krimi të rëndë që ndodhi në sy të fëmijëve të mitur, Demokrat Medinaj, nuk është arrestuar ende nga policia, pasi u largua menjëherë pas vrasjes nga banesa, ndërkohë që Policia mbërriti më vonë, vetëm pas sinjalizimit të ambulancës që ishte thërritur nga anëtarët e tjerë të familjes.
Burimet thonë se ndryshe nga sa thanë familjarët, Mejdinaj nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor, e megjithatë mbeten mistet arsyet që kanë çuar në këtë krim të rëndë.
Si ndodhi vrasja në praninë e personave të tjerë në banesë
“Mendohet që ngjarja ka ndodhur në prani të personave të tjerë të familjes. Këta të fundit kanë telefonuar në nr 127 duke deklaruar se kanë një person të plagosur në shtëpi. Kur ambulanca ka mbërritur ka parë gruan e shtrirë në toke me plagë dhe të pa jetë.
Kanë qenë pjesëtarë të stafit të spitalit ata që kane njoftuar policinë e Fierit. Ekspertët kanë gjetur në vendin e ngjarjes mjetin prerës me të cilin 29 vjecari kishte goditur gruan. Thika është lënë ne vendin ku ndodhi krimi ndërsa autori eshte larguar fill pas saj,” raportoi nga fshati Sheq gazetarja e Fax News Fatmira Bajramaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 17:00 në fshatin “Sheq i Madh” në Fier, ku Demokrat Medinaj goditi me thikë bashkëshorten e tij Irvana Medinaj, ndërsa ajo humbi jetën në banesë.