
Popullsia në Gjermaninë lindore po tkurret. Projektet e strehimit me çmime të përballueshme synojnë të tërheqin njerëzit përsëri në rajon.
“Nuk ke problem të gjesh një banesë të përballueshme në çmim. Nuk ke bllokime trafiku dhe as orë të pikut të trafikut. Dhe nuk kam pasur kurrë vështirësi në gjetjen e një vendi parkimi”, thotë Anika Franze, duke buzëqeshur nga pas tavolinës së saj në qendër të qytetit të vogël Guben në kufirin lindor të Gjermanisë me Poloninë.
38-vjeçarja lindi në Berlinin Lindor, dikur Republika Demokratike Gjermane, dhe jetoi në të njëjtin lagje për pjesën më të madhe të jetës së saj para edhe pas rënies së Murit të Berlinit. Por për shkak të ritmit të ngjeshur dhe situatës së çmimeve të banimit në kryeqytet, ajo kishte kohë që mendonte të largohej.
Gjatë një udhëtimi nëpër Brandenburg, ajo dëgjoi në radio për një program “Banim me provë” në Guben. Palëve të interesuara u jepet mundësinë të jetojnë aty deri në një muaj për vetëm 100 euro në javë. Synimi: të inkurajohen njerëzit të vendosen në qytet dhe kështu të sfidojnë rënien në rritje të popullsisë në Gjermaninë lindore.
Aplikime edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili
Anika Franze ka jetuar në Guben për tetë muaj, dhe tani drejton projektin që e solli në qytet. Ajo jeton në një apartament me dy kate prej 100 metrash katrorë, të marrë me qira për të njëjtin çmim që do të paguante për një dhomë në një apartament të përbashkët në Berlin.
“Është gjithmonë qetësi këtu, nuk ka as zhurma, ka më pak mbeturina në rrugë dhe gjithmonë takon njerëz që njeh”, shpjegon ajo në një tur të shkurtër në qytet. Vitin e kaluar, 30 persona morën pjesë në programin në Guben, gjashtë prej të cilëve më vonë u zhvendosën atje përgjithmonë. Këtë vit, kanë mbërritur 40 aplikime tashmë në tavolinën e Franzes: nga e gjithë Gjermania, Belgjika, madje edhe nga Algjeria, Egjipti dhe Brazili.
Popullsia në Gjermaninë Lindore është përgjysmuar në 30 vjet
Guben, i famshëm për industritë e tekstilit dhe prodhimit të kapeleve para ribashkimit, është vetëm një nga qindra qytete industriale në Gjermaninë lindore që përjetoi ndryshime të mëdha demografike pas ribashkimit gjerman në vitin 1990. Rënia e lindjeve, migrimi i të rinjve, veçanërisht, në landet perëndimore dhe rritja e jetëgjatësisë e kanë përshpejtuar plakjen demografike.
Komente