Gjykata Civile e Tiranës, sot më 25 mars, ka regjistruar statutin e Komsionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur më 11 dhjetor 2021.
Tanimë kemi dy njohje të statuteve të PD-së, pasi disa ditë më parë u njohën vendimet e Kuvendit të PD-së së mbajtur në 17 korrik.
Sipas ekspertëve ligjore të PD-së, ky gjyqtar nuk mund të shqyrtojë një kërkesë të Rithemelimit për ndryshim të statutit të PD-së, bazuar në kuvendin e 11 dhjetorit.
Kjo pasi ekziston vetëm një PD dhe dosja me ndryshimet statutore është ankimuar prej tyre në Apel, por që ende nuk dihet nëse është marrë në shqyrtim.
Po ashtu PD-ja nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, Indrit Sefa, tha se ende nuk ishte dorëzuar kërkesa me ndryshimet e Kuvendit të 18-dhjetorit.
Çështja ‘Zhukri’
Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri nga çështja e shqyrtimit të statusit në Komisioni i Rithemelimit.
Gjyqtari Zhukri ishte përcaktuar me short, që të shqyrtojë çështjen e ndryshimeve të bëra në statutin e Partisë Demokratike në Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha më 11 dhjetor.
Ai dha dorëheqjen nga gjykimi i çështjes. Kjo me pretendimin se kishte konflikt interesi, por Gjykata vendosi të mos e pranojë dorëheqjen e tij.
“Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura nga Zhukri, për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes, ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes nga i njëjti gjyqtar”, shkruhej në njoftimin e Gjykatës se Tiranës.
Sipas Gjykatës, kjo është një kërkesë që bëhet mbi ligjin për partitë politike, gjë që nuk e bën të papajtueshëm me funksionin ndaj nuk është pranuar dorëheqja.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës të premten e 18 marsit ka regjistruar ndryshimet statutore gjatë Kuvendit Kombëtar të thirrur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, më 17 korrik 2021.
Në kërkesën e PD-së u pasqyruan ndryshimet në statut dhe organet e reja.
Kjo lëvizje erdhi disa ditë pasi ish-lideri i PD-së, Sali Berisha të shtunën e 11 dhjetorit mbajti Kuvendin Kombëtar me rreth 5 mijë delegatë dhe mijëra mbështetës për të shkarkuar, Lulzim Bashën.
Nga “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së”, u miratuan disa ndryshime statutore dhe shkarkimi i Bashës.
Ndryshimet statutore
Kuvendi i 17 korrikut solli 11 ndryshime duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Basha krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale.
Ndryshimet e Kuvendit të Bashës kishin të bënin kryesish me zgjerimin e Kryesisë, Sekretariatit dhe shtimi të strukturës së përhershme të Këshilli Koordinues i Qarkut, që do të ketë përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të partisë në nivel qarku.
Në zgjerimin e Kryesisë është përfshirë edhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit Financiar, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikes.