Një i arrestuar dhe tre të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, përbëjnë deri më tani bilancin e të shoqëruarve nga policia për protestën e djeshme të opozitës, e cila u shoqërua me akte dhune si shkatërrimi i pronës publike, goditja me molotov e kordonit të policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.

A2 CNN mëson se tre personat që janë proceduar në gjendje të lirë janë të mitur. Ndërkohë burime bëjnë me dije se 9 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi janë përgjegjës për hedhjen e molotovëve drejt selisë së PS, kryeministrisë, ministrive dhe Bashkisë së Tiranës.

Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se deri tani një person është arrestuar, 3 janë proceduar penalisht (për shkak se janë të mitur) dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim policor.

Mes tyre është shpallur në kërkim edhe ish-komandanti i FNSH Shkodër, Hivzi Bushati, militant i Sali Berishës.