Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të presë sot në takim ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

Takimi do të zhvillohet në DASH në orën 17:15, sipas kohës lokale në Kosovë, teksa nuk dihen se cilat do të jenë temat e diskutimit.

Në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe zyrtari i lartë i Byrosë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në DASH, Brendan Hanrahan dhe nënsekretarja Allison Hooker.

Hanrahan gjatë korrikut kishte vizituar disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kishte deklaruar se temë e diskutimit me zyrtarin amerikan ishte nevoja për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.

“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, kishte deklaruar Vuçiç pas takimit me zyrtarin amerikan me të cilin tha se kishte diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Ndërkaq, në Kosovë, Hanrahan u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe me udhëheqësit partiakë. Gjatë takimeve në Kosovë, zyrtari amerikan kishte biseduar për krizën politike, dhe për të drejtat e komunitetit serb.

Serbia vazhdimisht akuzon Kosovën se shkel të drejtat e minoritetit serb në Kosovë, duke kritikuar vazhdimisht veprimet e institucioneve kosovare në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë, që ka nisur vitin e kaluar, është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se këto veprime janë bërë pa koordinim.

Vizita e Gjuriç në Uashington zhvillohet në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, pasi gjatë korrikut në Kosovë u arrestua një zyrtar serb.

Ndaj ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviç, – i cili gjendet në paraburgim që kur u ndalua më 18 korrik – Kosova ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Gjatë një fjalimi në Rahovec, ai e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, “organizatë terroriste”. Serbia ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe çështjen e arrestimit të tij e ka ngritur në takime me ambasadorë të akredituar në Serbi, por edhe me kreun e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres./REL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *