“Mos më nxirrni, më lini të vdes këtu”, këto ishin fjalët e Diena Karanxhës (Meçe) në momentin kur ekipi i kërkim-shpëtimit po kryente gërmimet e fundit për ta nxjerrë nga rrënojat e pallatit 6-katësh.
30-vjeçarja pas lëkundjeve të forta të së hënës, qëndroi për më shumë se 12 orë e përqafuar me vajzën 8 vjeçe. E reja me profesion piktore, jetonte bashkë me prindërit e saj, pasi pak ditë më parë kishte humbur bashkëshortin.
Pas familjes Lala ku nga nëntë persona shpëtoi vetëm një, familja e 30- vjeçares është më e prekura në Durrës. Grupet e punës së shpëtimit arritën ta nxirrnin të gjallë nga rrënojat, por 30- vjeçarja humbi jetën pak orë më vonë.
Diena Reçi (Karanxha), më herët kishte humbur vajzën, Esielën. Familja Reçi ka pësuar një tragjedi të vërtetë, duke qenë se pak kohë më parë, Diena kishte humbur bashkëshortin, ndërsa humbi vajzën dhe ju bashkua familjes edhe vetë. Diena Karanxha kishte pasion pikturën dhe herë pas herë nuk mungonte në ekspozitat që organizoheshin në Durrës. Edhe pse vetëm 30 vjeçe, ajo e kishte kaluar një tragjedi të rëndë në jetë, humbjen e bashkëshortit.
“Mendoja gjithmonë që zoti me kishte dhënë shumë lumturi, duke pasur një shok e një bashkëshort si Dori im, por jeta qenka një sprovë e vërtetë. Më mungon shumë bebi im”, shkruante ajo pak vite më parë në “Facebook”.
Diena u gjet nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, në lagjen 18 të qytetit bregdetar. Ajo u dërgua në spital, por pasi mbërriti në duart e bluzave të bardha, ndërroi jetë duke mos u mbijetuar frakturave që kishte marrë në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët deklaruan se e reja kishte hemorragji të brendshme.
VERITAS.COM.AL/