Këshilli i Lartë i Prokurorisë vijon sot me intervistat e radhës të kandidatëve që kërkojnë të bëhen pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, institucion i ri që ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi.

Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Enkeleda Xhengo, Klodian Braho dhe Manjola Kajana janë pesë kandidatët që do të intervistohen sot.

Në seancat me dyer të mbyllura, përveç anëtarëve të KLP-së, pyetje bëjnë edhe dy vëzhgueset e huaja të Euralius dhe Opdat.

22 kandidatët që kërkojnë të hyjnë në ‘super-Prokurorinë’ që do të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, u nënshtrohen pyetjeve që kanë për qëllim të kuptojnë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tyre.

Procesi i intervistave në KLP është parashikuar të mbyllet nesër me kandidatët Dritan Prenci, Ndini Tavani, Maksim Sota dhe Vladimir Mara.

Në mes të javës tjetër, KLP pritet të rendisë dhe të pikëzojë kandidatët për në SPAK me vlerësimin: “kualifikim i lartë, i mesëm dhe i ulët.”

Veritas.com.al/