Katër a pesë studentë kanë kaluar natën në bulevard, mes selisë së Kryeministrisë dhe Kuvendit. Pastaj, pasi dielli ka larë botën, aty nga ora dhjetë, janë bashkuar edhe qindra të tjerë, të cilët po lëshojnë thirrje para selisë së Qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish. Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se gjithçka duhet bërë tani është të flasë së bashku me studentët. Sipas Ramës 8 kërkesat e studentëve janë vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare.
“Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktoreshë Monës e të Profesor Lulit”- thotë Rama.
Statusi i plotë i Ramës:
Të dashur studentë protestues, gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim.
8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë VETEM SE BASHKU, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë.
Adresimin e 8 PIKAVE duhet të nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktoreshë Monës e të Profesor Lulit.
Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA:-)
Veritas.com.al/