Prej ditësh po diskutohet për rrënimin e pasurisë së naftës dhe të jetës së naftëtarëve, që tani ndodhen në protesta për marrjen e pagave të tyre.

Një prej shkaqeve që çoi në rrënim, është edhe përdorimi i naftës Virgin, që i shkaktoi dëm të madh buxhetit të shtetit dhe automjeteve të qytetarëve. Biznesmeni që e ushtroi këtë ‘djallëzi’, Ardian Xhillari, pasi u shpall në kërkim për krimin e bërë, u arratis drejt Gjermanisë.

Ardian Xhillari, biznesmeni i shpallur në kërkim për skandalin me naftën virxhin është arrestuar sot në aeroportin e Frankfurtit. Arrestimi i Xhillarit është bërë nga agjencia gjermane e INTERPOL, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.

Nafta Virgin, e kompanisë kompania Tea Construcion & Petrol hidhej në treg e papërpunuar dhe sipas Prokurorisë i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh si dhe pasoja teknike për automjetet e qytetarëve që janë furnizuar me naftë bruto e cila është tregtuar si cilësore.

Pritet të nisin procedurat për ekstradimin e Xhillarit në Tiranë ku do përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare.

Edhe bashkëpunëtorët e Xhillarit po i nënshtrohen Drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës kërkoi sot 15 vite burg për Xhillarin, 5 vite për ish-zv/drejtoreshën e Doganave Lule Njebza si dhe tre vite për Mirarbër Teneqexhi, ish-drejtori i Doganës së Tiranës, të përfshirë në skandalin e futjes së naftës së papërpunuar në tregun vendas.

Nga hetimet ka rezultuar se në këtë skemë evazioni ishte përfshirë dhe numri dy i Doganës asokohe zonja Njebza, ndërsa në total kanë qenë 4.5 milion litra naftë Virgin e nxjerrë në treg si naftë cilësore. Ky hetim ka zgjatur për dy vite nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të tatimeve për zhdukjen e 4.4 milionë litra naftë Virgin, ndërsa Xhillari gjykohet në mungesë.

Veritas.com.al/