Arrestohen dy ish- truprojet e ish ministrit Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Agustin Deda; të vendosur në kërkim ndërkombëtar prej një muaji e gjysmë si të dyshuar për trafik droge, pasi dolën në përgjimet e mega-operacionit ‘Shpirti’.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se, Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani dhe Paul Deda alias Agustin Deda, në Francë.
Shtetasit dyshohen për përfshirje në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit si pjesë e planeve të grupit kriminal të drejtuar nga Ilirjan Zaimi Duçellari.
Prokuroria e Posaçme ka dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tyre në Shqipëri. Megjithatë, një detaj interesant për Dedan është se ai ka kërkuar azil politik në Francë. Kështu, derisa të shqyrtohet kërkesa, do të qëndrojë nën masën e detyrimit për paraqitje dhe s’mund të lëvizë jashtë vendit.
Kujtojmë se, dy ish-truprojat e Tahirit u shpallën në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Shpirti”, gjatë të cilit u arrestuan 38 persona, mes të cilëve edhe prokurori i Vlorës Maksim Sota e disa zyrtarë të lartë të policisë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet italiane.