Mbrëmjen e 31 tetorit VMERO-DPMNE shpalli fillimisht fitoren në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Socialdemokratët e LSDM, nuk komentuan rezultatet, por veç procesin.
Ndërsa, kryetari i kësaj partie dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, Zoran Zaev, dha dorëheqjen!
Më 26 tetor, ai e pati paralajmëruar se nëse partia e tij nuk do të fitonte Shkupin në zgjedhjet vendore, atëherë një dritare mbetej e hapur për largimin e tij.
Ashtu ndodhi…
(Zoran Zaev deklaron se do të dorëhiqet nëse humb Shkupin)
Në një vendim të paprecedent, Zaev do të mbajë funksionin e kreut të Qeverisë deri në formimin e një tjetre. Ndërsa rrjedha që situata politike në Maqedoninë e Veriut do të marrë, është ende e paqartë.
E vetmja gjë e qartë, është se rasti i Zaev, nuk është një rast tipikisht ballkanas.
Zaev atipik në një rajon të turbullt
E gjithë çështja që shtrohet, nuk është thjesht dorëheqja e Zaev-it, por fakti që ai këtë e ka bërë pas humbjes së zgjedhjeve vendore. Në mënyrë të beftë, i ka lënë si drejtimin e shtetit, ashtu edhe atë të partisë.
Çuditërisht, për të gjetur një dorëheqje posti udhëheqësi në tre dekadat e fundit, duhet të kthehesh në Shqipërinë e vitit 1997.
Asokohe, ishte Sali Berisha, në funksionin e presidentit, i cili do të dorëhiqej. Por, arsyeja ishte shpërthimi i luftës civile në Shqipëri pas falimentimit të firmave piramidale.
(Sali Berisha në vitin 1997)
Ndonëse dorëheqje, ajo erdhi në rrethana shumë ekstreme. Mbi të gjitha kur krahasohet me atë të Zaev-it.
Në mars 2005, Kosova do të ishte ajo, e cila do të sillte një shembull dorëheqjeje të kryeministrit. Asokohe, Ramush Haradinaj, do të linte postin e tij.
Arsyeja, ishte për shkak se ai u akuzua për krime lufte dhe u desh të paraqitej në Hague.
Një vit më pas, më 1 mars 2006, Bajram Kosumi do të bënte të njejtën gjë. Por, në rrethana të tjera. Ai pati deklaruar asokohe se dëshironte t’i linte hapësirë për shanse të reja forcave të tjera politike në Kosovë, për të vijuar proceset në të cilat vendi ndodhej.
(Bajram Kosumi në vitin 2006)
Në ato vite, Kosova ishte në etapat e fundit të shpalljes së pavarësisë.
Viti 2009 më pas, për rajonin, do të shihte dorëheqjen e kryeministrit kroat, Ivo Sanader. Mbi të do të rëndonin akuza korrupsioni. Po ashtu, kriza globale goditi edhe Kroacinë, e cila po përpiqej të futej në Bashkimin Evropian.
(Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader)
Fatmir Sejdiu do të dorëhiqej nga Presidenca e Kosovës në shtator të 2010-ës, pasi shkeli Kushtetuën duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kreut të partisë ndërkohë.
Më pas, në 2011-ën, kryeministri grek, George Papandreou, do të jepte dorëheqje për shkak të krizës së madhe evropiane. Një Qeveri gjithëpërfshirëse u pa si e udhës atëherë.
(Ish-kryeministri grek, George Papandreou)
Në vitin 2019, sërish, Ramush Haradinaj u dorëhoq nga Kryeministria për t’u përballur me akuzat në Hague. Një vit më pas, presidenti kosovar, Hashim Thaçi, do të bëntë të njejtën gjë, për të njejtën arsye.
Pra, dorëheqjet, asnjëherë nuk do të vinin për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale.
(Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj)