-Dosja e përfundoi afatin sot, në 12 dhjetor. Por në dosje është hequr akuza më e rëndësishme për ‘pastrim parash në procesin e lobimit me financa ruse. Sidoqoftë, asgjë nuk ëhstë vendimtare. Gjykata do të vendosë nëse çështja do të kthehet për hetime dhe plotësime të mëtejshme-

Sot dosja ndaj Lulzim Bashës, për çështjen e lobimit në SHBA, ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës gati një muaj pas debatit midis prokurorëve të çështjes dhe kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Fati i krye demokratit varet tashmë nga gjyqtari paraprak. Burime për Top Channel tregojnë se dosja me Bashën të dyshuar për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës.

Por sikurse pohojnë burimet, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka bërë një udhëzim që kërkon nga prokurorët të kryejnë hetime shtesë, siç është pyetja e Nikolas Muzin, lobist në SHBA. Por ligji parashikon pavarësinë e prokurorit të çështjes. Në pamundësi të cënimit të pavarësisë së prokurorit, Imeraj ka përcjellë në gjykatë konstatimet mbi pavlefshmërinë e mundshme, të cilën, në bazë të ligjit është gjykata që vendos.

Tashmë gjyqtari paraprak do të vendosë nëse Lulzim Basha do të gjykohet apo çështja do të kthehet për hetime të mëtejshme.

Arben Ristani dhe Ilir Dervishi janë dy zyrtarët e tjerë të PD-së që akuzohen në këtë çështje për “falsifikim dokumentesh”.

Në gjykatë, siç thonë burime të Top Channel, do jenë vetëm dy prokurorë para gjyqtarit paraprak, Kol Hysenaj dhe Gjergj Tako, pasi prokurori i tretë, Ervin Karanxha, është zëvendësuar nga kryeprokurorja e kryeqytetit, Elisabeta Imeraj.

Në nisje të hetimit, prokurorët kishin në dorë deklarimet se për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin paguar 650 mijë dollarë për lobistin Nik Muzin, me pagesa që shkonin nga disa drejtime një prej të cilës nëpërmjet një kompania off shoore të quajtur “Biniata Trade”, që në një seri lidhjes përfundonin te dy shtetase ruse, aktiviteti i së cilave është regjistruar në Belize.

Por dy prokuroret Ervin Karanxha dhe Gjergji Trako, mbyllen hetimin dy vjeçar duke rrëzuar akuzën për “pastrimin e parave” dhe duke lënë vetëm akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, që dënohet nga tre deri në shtatë vite burgim.

Për këtë vendim, prokurorët Karanxha dhe Trako nuk kishin njoftuar kolegun e tyre, Hysenajn, i cili nuk firmosi për mbylljen e hetimeve.

Mundësia më e madhe që qëndron para kësaj çështjeje është që dosja të presë gjykatësit e dalë nga Vettingu, dhe në këtë mënyrë fati i Bashës vihet në pikëpyetje të madhe.

Veritas.com.al/