Nga: Adriatik Doçi/
Në kallëzimin e dytë penal që ish deputeti Halit Valteri ka referuar në SPAK për kupolën e LSI-së, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion, ngrihen dyshime të forta sa i takon pronësisë së godinës së LSI-së në ish-Bllok, pasuri për të cilën në kallëzim thuhet se Ilir meta e ka fshehur në emrin e një biznesmeni të besuar.
Bëhet fjalë për biznesmenin Muharrem Berisha, i cili konsiderohet në kallëzim si pronar fiktiv i godinës së LSI-në si dhe aksioner në një kompani që prodhon mermer në Berat, për të cilën
flitet se pronar i vërtet është Ilir Meta. Në dosjen e referuar në SPAK flitet gjithashtu për transferta të dyshimta në llogarinë personale të Muharrem Berishës, i cili nga ana tjetër, me të ardhura të pajustifikuar, ka kryer transaksione si donacione ndaj LSI, transferta parash ndaj kompanive offshore dhe llogarive të tjera për interes e Ilir Metës.
Në kallëzim referohet si fakt që, Muharrem Berisha, i cili paraqitet në letra si biznesmen i fuqishëm, është punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit si Inspektor Pyjesh, duke ngritur dyshime se Muharrem Berisha mund të jetë një nga maskat e Metës për të mbuluar pasuritë.
Në 30 janar të vitit 2021, Presidenti Ilir Meta,ka dekoruar me titullin “Mjeshtër Madh” edhe pronarin e pretenduar të selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Muharrem Berisha, ish peshëngritës. “Muharrem Berisha, padyshim ka qenë një nga peshëngritësit më të talentuar, që ka njohur vendi. Kampion, me rreth 100 rekorde me ekipin e ‘Dinamo’-s dhe Ekipin Kombëtar, i spikatur me kontributin e dhënë edhe si drejtues në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes”, deklaroi Meta në ceremoninë e dekorimit.
Muharrem Berisha ishte objekt i përplasjeve të forta politike mes PS-së dhe LSI-së në vjeshtën e vitit 2010. Përfaqësues të Partisë Socialiste akuzonin Ilir Metën se ishte pronar i kamufluar i godinës së LSI-së në ish-Bllok, pasuri të cilën nuk e justifikonte me burime të ligjshme të ardhurash. Në emër të Metës, dha shpjegime Luan Rama, i cili përmendi për herë të parë emrin e Muharrem Berishës si pronari i godinës së LSI-së, të cilën ia kishte dhënë me qira LSI-së.
Në zgjedhjet e vitit 2017, Meta e kandidoi Muharrem Berishën për deputet në Tiranë, tregues i vijimit të raportit mes tyre. Sot mbetet ende mister raporti real i Ilir Metës më godinën e LSI-së