TIRANË- Gjyqtarja Flojera Davidhi është përcaktuar me short për të vendosur për Dosjen “Partizani”, ku i pandehur është marrë ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për akuzën e “korrupsionit pasiv”, të kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina.

Përfaqësuesit e akuzës, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai dorëzuan të martën në gjykatë materialin me 333 fashikuj. Tashmë, Flojera Davidhi është gjyqtarja e seancës paraprake, e cila pritet të vlerësojë nëse dosja në ngarkim të të pandehurve do kalojë për gjykim ose jo.

Sakaq, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi është marrë i pandehur për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash, kurse biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Dy të tjerët, përkatësisht Xhimi Begeja dhe noterja Pustina akuzohen për pastrim parash.