Ish-shefi i antidrogës së Fierit Dritan Zagani ka bërë deklarata të forta për trafikun e drogës, ku sipas tij i përfshirë është edhe ministri i Brendshëm Tahiri. Në intervistën e tij të fundit për gazetarin Basir Çollaku që u transmetuan në emisionin “Opinion”, Zagani tregoi se në trafikun e drogës janë të përfshirë biznsmenë shqiptarë dhe një gjeneral italian. Ai bëri të ditur gjithashtu edhe emrin e biznesmenit shqiptar për të cilin thotë se ka 20 kilogramë kokainë, 3 milionë Euro cash dhe armë në një banesën e tij. Sipas tij, bëhet fjalë për biznesmenin Arben Dalipi. Gazetari Basir Çollaku që intervistoi ish-shefin e Antidrogës së Fierit, thotë se biznesmeni Dalipi është personi që kishte blerë tabulatet telefonike të Dritan Zaganit dhe e kishte kërcënuar atë.
Dritan Zagani: Ky subjekt në Vlorë (Arben Dalipi) ishte i garantuar. Flasin faktet. Ka vite e vite që punon i qetë. Trafikon drogë. Ky kontigjent jeton si një zotëri i njohur në Vlorë, e njohin të gjithë, si filani që ka lekë dhe ka vilë. Kam hedhur informacion vetë në sistem. Kishte lidhje në polici. Kishte tabulatet e mia. Do të thotë që është i lidhur me persona të tjerë në polici e në Prokurori. Dihej që isha nën përgjim. Ai që më përgjonte mua jo vetëm shiste inforacionin, por i ka dhënë edhe tabulatet e mia. Unë nuk i kisha lidhjet për ta mësuar kush e bën këtë punë. Por kur ndodhin këto fakte, unë i kërkoj drejtorit dhe nëndrejtorit e specialistit Hasrama, cfarë po ndodh? Më ngrenë supet.
Malli magazinohej nga Llogaraja në Borsh ku kishte baza. Sepse ai paguan për bazat. Ai kishte pjesën e tij të drogës nëpër gomone. Kishte disa trafikantë që paguanin gomonen për t’u transportuar mallin. Ky subjekt është i lirë. Nuk është i proceduar asnjëherë. Kam edhe të dhëna të tjera. Në shtëpinë e tij është mbajtur çanta me 20 kg kokainë. Këtë informacion e kam hedhur në sistem. Nga ky informacion Prokuroria e Krimeve të Rënda më akuzon se kam dashur të vendos mjete përgjuese në shtëpinë dhe makinën e tij në mënyrë të paligjshme. Është e vërtetë që donim t’i vinim mjete vëzhgimi e përgjimi ligjërisht, por nuk mundëm. Pas hedhjes së informacionit në sistem, specialisti Hasrama pasi më dërgoi efektivët për të vendosur përgjuesit, nuk u përgjigj më. U tërhoq.
Ky ka lidhje të forta në Tiranë. Ky zotëri në banesë dispononte mbi 3 milionë Euro cash. E kam hedhur këtë informcion në sistem. Nuk pati reagime. Kam hedhur në sistem edhe se në bodrumin e një vile që ka mbi Ujin e Ftohtë ka një arsenal armësh. Më është thënë nga specialisti i policisë Hasrama se nuk e hetojmë dot, nuk e procedojmë dot. Një pjesë Lekësh i kishte investuar me një mikun e tij politikan në koncesione hidrocentralesh. Në disa koncesione që janë dhënë së fundi në zonën mes Korcës e Librazhdit ka pasur investime, jo si investitor i drejtpërdrejtë, por i kamufluar. Bëhet fjalë për fundin e 2013 kur unë e kam patur këtë informacion. Por nuk i kam shkuar dot deri në fund. Por di që një mik i tij politikan, ka qenë deputet dhe nuk e di nëse është, por ky është parë në Tiranë me njerëz të tillë që nga burime të brendshme më është thënë që ka investuar lekë në këto koncesione hidrocentralesh.
Gazetari Çollaku zbuloi gjithashtu se Dritan Zagani është nën mbikëqyrjen e agjencive të huaja. Vendndodhja e Zaganit nuk dihet për arsye sigurie, kurse mësohet se ai është marrë nën mbrojtje nga agjenci të huaja ligjzbatuese. “Zagani është nën mbikëqyrjen e autoriteteve të vendeve të tjera”, tha Çollaku.
Dritan Zagani foli edhe për arratisjen e tij nga Shqipëria, kolegët që e shitën tek trafikantët dhe për makinën tip “Audi” të ministrit Tahirit, për të cilën ai thotë se përdoret nga kushërinjtë e ministrit për trafik droge.