Një shpërthim masiv tronditi të martën kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ku mijëra njerëz janë plagosur dhe raportohet për viktima.

 Deri më tani raportohen 27 të vdekur dhe mbi 2.500 të plagosur. Akoma nuk dihen shkaqet e shpërthimit dhe i vetmi synim është që të shpëtohen sa më shumë jetë të mbetura në rrënoja dhe pikërisht në depo ku zjarri vazhdon të jetë aktiv akoma.

Bilanci mendohet të jetë më tragjik pasi shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Situata është kaotike në spitale.

“Disa njerëz ka thyer gjymtyrët, të tjerët janë çarë nga xhamat”, tregon një dëshmitar. Kryqi i Kuq i Libanit, zyrtarë shëndetësorë dhe politikanë u kanë bërë thirrje njerëzve të dhurojnë gjak për të ndihmuar të dëmtuarit në spital.

Agjensia shtetërore e lajmeve në Liban NNA tha se shpërthimi ndodhi në zonën e portit të Bejrutit, ku ka depo me eksplozivë. Nuk është e qartë menjëherë se çfarë e shkaktoi shpërthimin ose çfarë lloj eksplozivi ndodhej në depo.

Ministri i Shëndetësisë në Liban tha se ka një “numër shumë të lartë” të lëndimeve dhe dëme të mëdha.

VERIAS.COM.AL