Nga Ardit Rada
Ky është 21 Janari i njëmbëdhjetë që katër protestuesit e vrarë nga qeveria Berisha-Meta përkujtohen në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Prej 11 vitesh, familjarët e tyre kanë qenë në kërkim të drejtësisë dhe nuk janë kënaqur me asnjë proces gjyqësor që në bankën e të akuzuarve ka pasur gardistë. Sepse të ndëshkosh autorët e 21 Janarit do të thotë të ndëshkosh Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ilir Metën.
Ky është 21 Janari i parë që e gjen Sali Berishën dhe familjen e tij me një mal akuzash mbi shpinë, të kopsitura nga SHBA që ia ka mbyllur derën njëherë e mirë. Në ato akuza që Amerika s’do ti publikojë, me siguri shkëlqen 21 Janari.
Sot Sali Berisha dhe ish-ministri i tij i Brendshëm po hahen si qentë duke i thënë njëri-tjetrit fjalën e fundit të parën. Madje edhe për 21 Janarin Berisha e Basha kanë nisur ta akuzojnë njëri tjetrin. Njëri i thotë frikacak që më braktise atë ditë, tjetri i thotë ‘unë s’jam si ty që të të vras për një copë godinë, siç vrave ti në 21 Janar’.
Ky 21 Janar e gjen edhe Ilir Metën jashtë orbite. I shpërfytyruar ca nga katandisja e LSI pas zgjedhjeve, ca nga prishja me Lulzim Bashën, e ca nga përplasjet me drejtësinë nga Tirana në Venecia. Tani që po i arrestojnë edhe ish-ministrat që i kishte shokë të ngushtë, është kapur pas Sali Berishës. Fiks si në 21 Janar 2011. Por pa marre parasysh se i mbyturi të mbyt.
Ky është 21 Janari i parë që kemi drejtësi, nga ajo që s’e kishim imagjinuar. Mund të kishte ndodhur edhe më keq. Berisha të ishte arrestuar, e ta lironte Lulzim Basha me protesta apo Ilir Meta me Kushtetuesen. Por jo, veç kështu mund të bëhen gazi i botës jo veç në 21 janar, por çdo ditë të vitit.