Delina Ibrahimaj është emëruar në krye të Drejtorisë së Tatimeve pas shkarkimit të Enton Duros, që qëndroi në detyrë vetëm 3 muaj dhe u lirua si pasojë e ngërçit te hetimi tatimor dhe evazionit fiskal.
Por kush është drejtoresha e re? Delina Ibrahimaj që sot ka marrë drejtimin e Tatimeve në Shqipëri vjen nga INSTAT-i.
Në vitin 2016 ajo u emërua në postin e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Statistikave. Ibrahimaj mban gradën doktor në Bankë dhe Financë nga Universiteti i Romës, Tor Vergata.
Ajo ka punuar në Bankën e Shqipërisë dhe më pas kaloi në Kryeministri, si koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar shkëmbim informacionesh dhe statistikash operacionale mes instituteve shtetërore.
Më pas u emërua në krye të INSTAT-it dhe sot mori drejtimin e institucionit të Tatimeve.
Ndërkohë në mbledhjen që po zhvillohet me punonjës dhe drejtues të Tatimeve, kreu i qeverisë foli me tone të ashpra sa i përket mosfunksionimit të kasave në shumë biznese, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për 15 mijë kasa në biznese që nuk raportojnë. Në një takim me drejtuesit e Tatimeve, Rama tha se janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive.
“Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 1 qind e 12 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë? kush i mbulon në territor këto pika të kuqe alarmi dhe si mundet që të gdhijë dita e re, java tjetër, muaji tjetër, dhe këto pika të kuqe alarmi të mbeten të kuqe? Pse kompanitë e kasave nuk gjobiten? Ligji është i qartë për to. Është ngritur një sistem që konsiderohet funksional më Tatime së bashku me FMN që Fondi e ka marrë si model për tu përdorur në vendet e tjera, me module risku që duhet të jenë bazë e analizës dhe trajtimit të vizitave në terren të një aktivitete inteligjent dhe ka vetëm një motiv dhe anarki brenda administratës ku janë rishfaqur fenomenet e dikurshme të aktiviteteve individuale apo në grup për qëllime korruptive”, tha Rama.
VERITAS.COM.AL/