Shqiptari që mban çelësat e formimit të mazhorancës së re parlamentare, Dritan Abazoviç, ka bërë një tërheqje pas alarmit të ndërkombëtarëve se Mali i Zi po kthehet nën influencën e Moskës dhe Beogradit.
Kreu i Lëvizjes URA, ka bërë të ditur se ai nuk do të pranojë asnjë kompromis për çështjen kombëtare, duke marrë distancë nga frenezia e festimeve proserbe por edhe kërcënimet ekstremiste që kanë alarmuar SHBA-në.
Ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ka takuar menjëherë kreun e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifar Fejziç, kas incidentit në Pljevjlia, ku u rishfaqen fantazmat e kobshme të Srbrenicës.
Ambasadorja amerikane ka dënuar menjëherë sjelljen ekstremiste dhe ka bërë thirrje që zgjedhjet të mos shërbejnë për kthim prapa. Siç mësohet ajo ka takuar edhe Abazoviçin.
Menjëherë pas këtyre takimeve, shqiptari që ka 4 deputetë, pa të cilët nuk të formohet qeveria e re, ka deklaruar se kompromisi për të bërë qeverinë e re do të zgjasë kohë, duke u tërhequr kështu nga plani fillestar për një qeveri të shpejtë.
“Një marrëveshje përfundimtare me dy koalicionet e tjera duhet të arrihet në javët e ardhshme, por që tani është e rëndësishme të merren vendime të mençura, jo të shpejta dhe të lehta.
Unë e di që kjo është një temë mjaft aktuale tani, por unë do t’u bëja thirrje qytetarëve vetëm për racionalitet, në lidhje me kohëzgjatjen e atyre negociatave ose marrëveshjeve që kanë filluar. Kanë kaluar vetëm katër ditë nga zgjedhjet, dhe vendeve me demokraci shumë më serioze ndonjëherë u duhet një muaj, dy dhe tre për të formuar një qeveri, etj.
Ne kemi ofruar një model që është origjinal në lidhje me një qeveri eksperte, nuk do të ketë lëvizje të lehta dhe të shpejta”, tha Abazoviç, i cituar nga televizioni privat Vijesti, një media më shumë pranë opozitës proserbe.
E pikërisht në këtë rast ka ardhur një lëvizje e fortë nga partia e Milo Gjykanoviçit.Partia Demokratike e Socialistëve, ka bërë të ditur pas një mbledhje kryesie se është gati që 30 deputetët e saj në Parlament, grupi më i madh parlamentar, të japë mbështetjen “pa kushte” për një qeveri që do të mbronte interesat e Malit të Zi”. Një ftesë për Abazoviçin që të përdorë mazhorancën e sigurt, mjaft që të mos ketë një lëvizje proserbe.
Dy nga diplomatët më veteranë të Malit të Zi, Zhelko Peroviç dhe Ferhat Dinosha, që kanë qenë ambasadorë në Shqipëri, i ka bërë një letër të hapur Dritan Abazoviçit, ku i bëhet thirrje që të bëjë koalicion me partitë e vogla të së majtës dhe pakicat, ndërkohë të përdorë pa problem 30 deputetët e Gjukanoviçit. Ndërkaq media pranë qeverisë bënë të ditur se Presidenti është gati të japë dorëheqjen e të tërhiqet nga politika.
“Nëse vendosni të bekoheni nga Mitropoliti Amfilohije Radoviç, ju lutem lexoje mirë këtë mesazh.
Unë nuk dyshoj në qëllimet e tua, por kam frikë se ata do të të (keq) përdorin ty, dhe kur të mos u duhesh më, ata do të të cilësojnë ty (më vjen keq ta them këtë) Shqiptar dhe do të të luftojnë si çakajtë”.
Peroviç i kujton Abazoviçit se në 2006 opozita proserbe ka qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi. Ndërkaq, Dinosha, i cili i shkruan Abazoviçit se e ka pasur shok të atin e ndjerë të Dritanit shkon edhe më tej.
“Sikur ti sot të shkoje në aleancë me kundërshtarët e Malit të Zi të pavarur do të kaloje në lakun e lahutës. Do të të lëvdonin për një përdorim shefat e tu potencialë në qeverinë e Malit të Zi. Ata të cilët kanë qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi dhe të cilët kanë bërë grevë urie kur Mali i Zi e ka njohur Kosovën e pavarur. Do të të bekonte lideri i tyre politik me fustanellë të popit, i cili e ka mallkuar Gjukanoviqin kur e ka njohur Kosovën”, shkruan Dinosha duke i kërkuar të drekonte në shtëpinë e Dritanit, siç ka bërë me të atin e tij të ndjerë kur Mali i Zi fitoi pavarësinë, shkruan Shqip.
Ndërkaq, të dielën në Podgoricë është parashikuar një tubim i madh i “patriotëve” që do të matin forcat pas etheve nacionaliste serbe.
Një deklaratë për të ruajtur kursin i është bërë deputetit shqiptar edhe nga grupi parlamentar i “të gjelbërve” të Parlamentin Europian.