Nga: Ylli Dylgjeri/
10 milion turistë priten të vinë në atdheun tonë gjatë këtij sezoni turistik. Kjo është deklarata e parashikimit zyrtar që vjen nga zyrat shtetërore. Kjo shifër ka një logjikë. Ka një parapërgatitje kontraktore. Mbi 300 avionë çartet priten të vijnë – deklaroi ministri Klosi para pak ditësh nga aeroporti “Nënë Tereza”. Turistët do të hyjnë nga ajri, deti, toka. Kudo ku kemi kufij. Rëndësi ka të vijnë. Ky është bumi turistik rekord. Rëndësi kanë të ardhurat. Rëndësi kanë shkëmbimet e vlerave historike e kulturore. Rëndësi ka integrimi.
Mirëpo a duhet besuar kjo shifër hyrjesh?
Për momentin po e besojmë, paçka se edhe unë hyj te skeptikët e kësaj shifre. Pyetjet që më vijnë janë të shumta:
A kemi kapacitet pritëse për të përpunuar një sasi të tillë turistësh? Nuk mund të them po.
As jo! Di që sot Ne kemi një Aeroport Nacional që përpunon në 1 vit rreth 1.3 milion udhëtarë. Ndërkohe turiste do të hynë edhe nga kufiri tokësor e detar. Po ashtu turist konsiderohet edhe kosovari, edhe emigranti shqiptar qe vjen nga Londra për te pare apo vrare… familjen! Por, turistet që hynë në Tiranë vjet kishin probleme me parkimin e mjeteve ne qendër te qytetit. Një operator turistik mu qa në rrugë se është e pamundur parkimi i autobusëve ” Janë mosha të thyera. Nuk mundet edhe të shohin kryeqytetin edhe mos të kenë mjetet jetike pranë! Policia na mbyti me gjoba! Nuk di edhe se ku mund të kryejnë nevojat personale!
WC- te publike mungojnë!” Këtu mu kujtua Hong Kong-u i largët. WC -të aty ishin edhe pranë stacioneve të autobusëve, edhe elektronike. Zgjidhja ishte ideale. Me një monedhë hapej dera e njëherësh hapej edhe vrima e WC-së. Sipas pagesës, për ujin e hollë apo të trashë, ishte edhe hapja e madhësisë së vrimës së jashtëqitjes që të ofronte shërbimi. Kaq. Kjo le të mbetet në vëmendjen dhe projektet e Bashkisë Tiranës.
Vazhdoj të vras mendjen…
Një lajm tjetër për pritjen e luftëtarëve të penduar të ISIS- It më përzjeu mendimet këto ditë…
Po këto luftëtare a do të njihen si turistë gjatë kësaj vere? Lajmet thonë se do vinë në kampet Shqiptare!!! Nëse po, atëherë nuk e di si do të bashkëjetojnë edhe Turisti edhe ISIS-ti !?
Po Aeroporti i Kukësit a do të hapet?
Di se ne shtetin fqinj ka mbi 35 aeroporte ne pune. Vjet Greqia priti mbi 30 milion turistë. Ndërkohe ka dhjetëra vjet qe investon ne infrastrukturen turistike.
Nuk e di. Pyetjet më mbyten. Autostrada Tirane – Durrës filloj rikonstruksionin në fillim të sezonit. Në Vlorë po ashtu rrugët ne qytet janë në ndërtim. Ne Pedonale e Re nuk lejohet parkimi i mjeteve edhe para shtëpisë tende!
Te Tuneli drejt Radhimes ka bllokim trafiku çdo mëngjes…
Nuk po vazhdoj.
Miresevini të dashur Turistë!
Do ju presim me ç’na gjetët.