Prokuroria e Durrësit njoftoi këtë të hënë se ka regjistruar procedim penal pas tërmetit të 26 Nëntorit, që shkaktoi 51 viktima e qindra të plagosur, si pasojë e shembjes së disa ndërtesave.

Dy janë veprat penale ku po përqendrohen hetimet, ndërtim pa leje dhe shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, dyshohet se pasojat e rënda të tërmetit erdhën për shkak të ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës, si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

“Më datë 29.11.2019 Prokuroria Durrës ka regjistruar çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26.11.2019 ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash. Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mos përmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 kodi penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Durrësit.

Organi i akuzës sqaron se çështja po hetohet nga një grup prokurorësh dhe oficerësh të Policisë Gjyqësore, të cilët janë gjithashtu në pritje edhe të referimeve nga ana e policisë.

Për të njëjtën çështje, hetime kryesisht ka nisur edhe Prokuroria e Tiranës.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Veprat penale që po hetohen janë ato të “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, si dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, neni 199/b i Kodit Penal. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor“, thuhet në njoftimin e organit të akuzës së Tiranës.

Kjo e fundit, kërkon gjithashtu informacion nga Bashkia e Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore./