Frrok Çupi
Mbrëmë në mesnatë, Partia Demokratike mbërriti në pikën e ‘vlimit’; ishte momenti më i fundit kur brenda në trupin e ethshëm u përplasën shpejtësia e ulët dhe nxitimi, ballë përballë. Nxitimi për të plotësuar sa më shpejt listat për deputetët e ardhshëm- dhe ndërkohë- vonesa në dërgimin e emrave në KQZ. Si në një akt mortor, kur brenda familjes disa rendin për të kapur orën e shpallur; ndërsa të tjerë tentojnë ta mbajnë ‘edhe pak, edhe pak’ njeriun që nuk do të jetë më.
Partia Demokratike i dërgoi listat e kandidatëve 7 minuta pas orës 12.00 të natës. Në një akt kaq të fundit, brenda shtatë minutave, u shfaq gjithë tragjedia e dy shpejtësive brenda në Partinë Demokratike.
Cila ishte shpejtësia e lartë?
Kryetari legal i PD, Basha, prej kohësh ka hapur një derë të pasme në seli nga ku hyn e del për t’u fshehur jo vetëm nga gazetarët. Mbrëmë e përdori ‘tunelin’ ndërkohë që udhëheqësi i tij, Berisha, kishte humbur vigjilencën duke u ngulur në një ekran televizioni në tentativë për fshehur të vërtetën mbi listat. Në këtë copë kohe ndodhi shumëçka: U hoqën disa emra të lidhur ngushtë me Berishën dhe aktet e tij; u sajuan disa të rinj, njërin prej tyre as e kishin njoftuar se po e vinin në listë; u paketuan kandidatët dhe u dërguan në KQZ. Kush nxitonte kundër kujt. Në nxitim e sipër disa u lanë pa emër babai, ose pa ditëlindje, ose pa gjini…. Atëherë kthimi pas për në seli!- Ja kjo ishte vonesa ose ulja e shpejtësisë. Mëngjesi u hap i mugët për PD. Kush mund t’i besojë kësaj qenieje që edhe ditën e fundit nuk di ku ka emrin, ku ka byzylykët, ku ka rimelin dhe me cilin do të martohet. PD kishte tetë vjet në opozitë, 3 vjet malit jashtë Parlamentit, 30 vjet në luftë me të vetët.., dhe më në fund prapë me vonesë.
Dy shpejtësitë kanë qenë tragjike për vetë PD-në dhe për fatet e vendit gjatë tre dekadave.
Shpejtësia e fillimit për të fshirë veprën ‘socialiste’.
Kjo nisi menjëherë sa nisi kompozimi i Partisë Demokratike, në vitin 1991. Objektivi i parë i saj ishte eliminimi i veprave industriale, i fermave, i vreshtave, i ndërmarrjeve, i fabrikave…, gjithçka duhej fshirë. Nisi mbi gjithçka ishte ndërtuar gjatë pesë dekadave në vend, mbi 5000 vepra; ose u dogjën, ose u. Aktet e dhunës u mbështollën me një zarf ideologjik: ‘Të mos lihet më këmbë asgjë nga Partia e Punës’. Udhëtimi i llahtarshëm i rrënimit të ekonomisë vazhdoi me të njëjtën shpejtësi edhe në fushën e ligjeve: U ngrit Universiteti Juridik i Plepave me 6 muaj, u përpilua ligji 7501 që fundosi pronën e shqiptarëve edhe për dhjetë shekuj të tjerë.
Ja kështu nisi: Shpejt dhe ngadalë.
Shpejtësia e ‘kapitalizmit shqiptar’.
Edhe kjo ‘makinë’ i ndezi motorët në mars, por në marsin e vitit 1993. Një grua me emrin ‘Sude’ ngriti kompaninë e parë të mashtrimit financiar me moton ‘më jep dy lekë, të të kthej gjashtë’. Presidenti i Republikës inauguroi aktin ‘kapitalist’ në një mbrëmje Gala me ambasadorë e personalitete në hotel Dajti, duke e shpallur këtë si ‘kapitalizmi shqiptar’. Pas kësaj rendën disa të tjerë dhe ndërtuan skemën piramidale mashtruese ‘Ponzi’. Gjithçka u krye më një shpejtësi marramendëse: Shteti vetë lau paratë e grumbulluara në kontrabandë, individët shitën shtëpitë dhe i sollën në ferr, birra e gosti pa fund… Derisa vendi ra në gropën më të thellë, 1997. Aty PD kreu aktin e luftës së armatosur kundër popullit dhe aktin monstruoz të armatosjes së gjysmës së popullsisë kundër gjysmës tjetër. Këtu ndali ora e njeriut.
3.
Shpejtësia për mbledhur gjithë qilimin e pushtetit.
Objekti ‘qilim’ më erdhi në kujtesë nga akti i ish presidentit Berisha që kur doli nga Presidenca mori me vete edhe qilimin e zyrës. Por Partia Demokratike është e vetmja gjë që nuk bëhet më-siç thonë disa dashamirës naiv ‘ta ribëjmë PD-në’ siç mund të ri thuret një qilim. Vetë PD nxiton kur ka si qëllim të bëjë ndonjë të keqe për vendin; dhe ndalon shpejtësinë në kohën kur vendit i duhet shpejtësi. U shpejtua për në Konferencën Islamike në vitin 1992, por i vuri shulin derës së OSBE dhe Amerikës. U nxitua për të dalë sa më shpejt nga Parlamenti në vitin 2019, por vuri gjithë pengesat kundër Reformës në Drejtësi dhe Amerikës. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2009, PD u nxitua që të merrte zvarrë popullin e vet drejt qendrave të votimit në favor të 17 kullave që po ngriheshin nga dhëndëri i ish- kryeministrit në kompleksin Partizani me 150 milionë euro përfitim…Po të mos fitonte PD, kullat nuk bëheshin…. Pasi u mor malli, aty u ndal shpejtësia: U shkarkuan gjeneralët, u shty presidenti i vjetër, u kap presidenti i ri, u firmosën letrat, u krye krimi…, ja kjo ishte shpejtësia. Në gjithë jetën PD ka punuar për mirëqenien e liderit…
Herën e fundit, dmth., mbrëmë në mesnatë, ishin të gjithë të paqartë mbi shpejtësitë, secili për vete.